Emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar dje tha është ftuar për të raportuar në Shtëpinë e Bardhë rreth rezultatit të vizitës në Kosovë dhe Serbi, mirëpo nuk tregoi nëse e ka kryer këtë raportim. Ndërkaq emisari i BE-së, Miroslav Lajçak ka bërë një përmbledhje të takimeve që ka zhvilluar në Prishtinë e Beograd. Ai përsëriti kërkesat që i kanë nga të dy palët, derisa shtoi se do t’iu raportojë vendeve të Bashkimit Evropian.
Emisari amerikan, Escobar, dje në një intervistë për folur për shumë tema që lidhen me Kosovën. Ndër të tjerash ai foli edhe për Kurtin, të cilin tha se e ka partner, por nganjëherë është “partner të vështirë”.
Diplomati amerikan tha se nga takimi i Ohrit janë larguar optimistë, duke shtuar se tensionet në Veri ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin.
“Kur u larguam nga Ohri, u larguam optimistë. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thoja se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit” ka shtuar ai.
Ai ka kërkuar nga Serbia që t’i japë fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës, ndërkaq nga Kosova fillimin e procesit të zbatimit të Bashkësisë së Komunave Serbe.
“Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat” ka thënë diplomati amerikan.
Ai tha se nëse SHBA do të kishte rol më të madh, deri në vitin 2030 i gjithë rajoni do të ishte pjesë e BE-së.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030 i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Europian. Por ndërkohë, deri në vitin 2030 ne presim që investimet në ekonomi të fillojnë të krijojnë mundësi reale”, tha Escobar.
Poashtu, Escobar tha se është ftuar për të raportuar në Shtëpinë e Bardhë rreth rezultatit të vizitës në Kosovë dhe Serbi që kishte gjatë javës së kaluar, mirëpo nuk tregoi nëse e ka kryer këtë raportim .
Ndërkaq, emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka bërë një përmbledhje për vizitat që ka zhvilluar në Kosovë dhe Serbi.
“Pas disa ditësh në rrugë jam kthyer në Brukselin me diell. Këtë javë, vizitova Prishtinën dhe Beogradin së bashku me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së dhe të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Gabriel Escobar. Udhëtuam në rajon me qëllim që të adresojmë situatën e tensionuar në veri të Kosovës të cilën e kemi parë të gjithë gjatë javës së fundit dhe të eksplorojmë potencialin për një zgjidhje politike”, ka shkruar fillimisht Lajçak.
Ai ka treguar për kërkesat që ia ka parashtuar prijësve të shtetit të Kosovës – deeskalimin e menjëhershëm të situatës në Veri, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim.
“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim”.
“Ne kontaktuam edhe liderët e opozitës shqiptare të Kosovës, duke shpjeguar pasojat e krizës aktuale dhe dëmin që ajo shkakton në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre mbështetjen e tyre për një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”.
Po ashtu, ai raportoi edhe për takimin që e ka pasur me Listën Serbe, duke thënë se janë përfaqësuesit e palës së prekur. Më pas, Lajçak ka treguar për vizitën që e ka pasur në Beograd, duke treguar për takimet që pati atje bashkë me Escobarin.