Tensionimi i situatës në veri ka lënë në hije zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Fokusimi i bashkësisë ndërkombëtare për depërshkallëzimin e gjendjes në komunat veriore, ka anashkaluar rolin e tyre në zbatimin e ujdisë së Brukselit dhe asaj të Ohrit, thonë njohësit e procesit të dialogut. Por, në partitë në pushtet fajin ia adresojnë palës serbe, e cila sipas tyre po e saboton marrëveshjen përmes nxitjes së tensioneve në veri nga grupet kriminale atje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja thotë për KosovaPress se është dëshmuar se Serbia nuk dëshiron ta zbatojë marrëveshjen e dakorduar me Kosovën.
Muja i liston shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë, derisa e fajëson edhe ndërmjetësin e dialogut nga BE-ja, Miroslav Lajçak.
“Fillimisht Serbia nuk deshi të nënshkruajë marrëveshjen, pasi Kosova u dakordua në Bruksel, ku kryeministri jonë deshi të nënshkruajë atë, mirëpo Vuçiq nuk e nënshkruajti. Ai është gabimi i parë i ndërmjetësve. Ky gabim është saktësisht i zotëri Lajçak, aty dhe deklarimet e Vuçiq në javën pasuese se ai nuk zbaton pjesë të caktuara të marrëveshjes dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet që ne i kemi shtyrë janë seri e shkeljeve të marrëveshjeve nga Serbia. Është një përpjekje e tyre që të sabotojnë marrëveshjen. Kosova është e gatshme dhe përkushtuar siç ka qenë në fillim që të nënshkruajë dhe të zbatojë atë plan, por ne nuk jemi të interesuar që të jemi në agjendat qysh do që i ka menduar Vuçiq në të kaluarën. Zhvillimet në veri janë një përpjekje e Serbisë për të sabotuar zbatimin e marrëveshjes, pasi Kosova është dakorduar pikë për pikë për atë marrëveshje”, thotë ai.
Analisti politik, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress se zhvillimet e fundit në veri ia kanë ndërruar kahjen dialogun Kosovë-Serbi. Ai shton se këtë situatë e ka shfrytëzuar Serbia për të bindur faktorin ndërkombëtar se nuk është koha njëherë për t’u marrë me implementim të marrëveshjes, por qetësim të situatës në teren.
“Pala serbe e ka përdorur situatën në veri, ka dërguar grupet kriminale të zakonshme atje që me pas protesta të dhunshme, në mënyrë që faktori ndërkombëtar mos me u marrë me mosimplementimin e aneksit të marrëveshjes, por më shumë me qetësimin e situatës në veri. Këtë formë Serbia e përdor vazhdimisht, kështu që ish dash me pas presion ndaj Serbisë për zbatimin e pjesëve të marrëveshjes që lidhen me Serbinë”, thekson Demahasaj.
Megjithatë, ai kritikon edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas tij, po dëshmon se përmes tensionimit të veriut nuk dëshiron të zbatojë Asociacionin.
“Tash nuk mund të flasim për zbatimin e marrëveshjes për faktin se po e shohim si është situata në veri. Por, unë mendoj se tensionet atje lidhen me marrëveshjen dhe zbatimin e saj. Ne e dina se Qeveria e Kosovës në aneksin e marsit të arritur në Ohër e ka pranuar obligimin me zbatu nenin shtatë që lidhet me vetëmenaxhimin e komunitetit serb, njëkohësisht si ka qenë nënshkrimi i deklaratës për të pagjeturit nga dy palët. Fakti që t’i ke marrë një obligim duhet me fillu me zbatu atë. Prandaj, mendoj se situata në veri ka ndërlidhje me këtë, ku kryeministri Kurti nuk është i interesuar me zbatu nenin shtatë të marrëveshjes, andaj krijon tentativa të tilla në veri për me pengu zbatimin e asaj marrëveshje. Krejt problematika e kësaj është Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe jo mbajtja e këtyre katër kryetarëve të komunave atje”, shton Demhasaj.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për marrëveshjen mes tyre më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër, në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian.
Në bazë të kësaj ujdie është nënshkruar edhe deklarata për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë, derisa palët kanë nisur diskutimet edhe për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mirëpo, bartësit institucional të Kosovës vazhdimisht kanë kritikuar Serbinë për qasje destruktive në dialog dhe moszbatim të marrëveshjes, e cila sipas tyre është dëshmuar me votimin kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropës.
Në anën tjetër, tensionet në veri kanë nisur prej datës 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet e komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës.