Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lartë ndikimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në proceset historike.
Në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ajo ka thënë se kjo ngjarje historike ka qenë frymëzim për brezat pasardhës, në përpjekjen e tyre për liri.
“Ka shërbyer si model i përhershëm nga ku janë frymëzuar intelektualë, patriotë, dijetarëh e politikanë ku kanë vijuar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor si ai i viteve 90 për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Osmani
Ajo ka bërë me dije se kjo lidhje kishte shprehur në mënyrë të qartë kërkesat e shqiptarëve.
“Lidhja e Prizrenit ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo e shprehu qartë qëndrimin e shqiptarëve për shtet të pavarur. Tregoi vetëdije të lartë politike e shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale”, ka thënë Osmani.