1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

BE zbulon se ka caktuar takim Kosovë-Serbi për Asociacionin, u shty për shkak të Veriut

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitave në Kosovë dhe Serbi, e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet. Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren. Kështu i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Stano iu përgjigj pyetjes rreth një drafti me propozimin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se “secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

“Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Stano.

Zëdhënësi i BE-së, Stano, konfirmoi se plani ishte që më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat qysh më parë. Por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

“I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, theksoi Stano.

Ndërkohë, nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë informuar për vizitën që Mirosllav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan, Gabriel Escobar, kanë pasur gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd. Detyra e tyre ishte të përçojnë kërkesat për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sipas këtyre burimeve, nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të bisedohet për masat drejt shtensionimit të situatës, por, siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka hezituar të pranojë kërkesën për heqjen e menjëhershme të policisë speciale nga objektet komunale.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, “pala kosovare nuk i ka refuzuar kërkesat, por përshtypja është se nuk po nxiton”.

Nga ana tjetër, sipas raportimit te shtetet anëtare të BE-së nga ana e një pjesëtari të ekipit të Lajçakut, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqka shprehur gatishmërinë për t’i bindur serbët lokalë në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, por nën disa kushte të caktuara.

Gjatë raportimit të ekipit të Lajçakut para përfaqësuesve të vendeve anëtare, gjithashtu, janë diskutuar mundësitë e ndërmarrjes së disa masave nëse nuk respektohen kërkesat ndërkombëtare rreth hapave drejt uljes së tensioneve.

Çështja e pezullimit eventual të vendimit të liberalizimit të vizave, nuk është në mesin e masave që shqyrtohen, kanë konfirmuar disa burime nga shtetet anëtare. Shumë prej tyre vlerësojnë se një vendim i tillë do të ishte goditje, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës e jo për ata të cilët Brukseli i konsideron përgjegjës për mosrespektimin e kërkesave ndërkombëtare.

Gjithashtu, ngrirja e disa programeve financiare për momentin nuk ka hasur në përkrahje te shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe ashtu, sipas diplomatëve, mosmbajtja e konferencës së donatorëve për shkak të mungesës së përparimit në implementimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj, është një lloj sanksioni.

Por, për Kosovën është përmendur si masë që pritet të ndodhë shpejt pezullimi i disa takimeve dhe suspendimi i një nënkomiteti të përbashkët të Kosovës dhe BE-së në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ky do të ishte një sinjal, ndërsa masat tjera do të shqyrtoheshin varësisht nga zhvillimet. /REL/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img