1.5 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Delawie: Kuvendi duhet ta hedh poshtë Projektligjin për Ushtrinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Telegrafin ka bërë të ditur se themelimi i Ushtrisë së Kosovës nuk është qëllim veç i Kosovës po edhe i tyre.

Delawie ka theksuar se SHBA-të kanë qenë të qarta se themelimi i Ushtrisë duhet të bëhet përmes ndryshimit të amendamenteve kushtetuese dhe se anashkalimi i këtij procesi mund të ketë pasoja për marrëdhëniet e SHBA-ve me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Nuk dua të spekuloj se çfarë pasojash mund të ketë, sepse ende ka kohë që Kuvendi ta bëjë gjënë e duhur dhe ta hedh poshtë këtë projektligj”, ka thënë Delawie.

Ambasadori amerikan gjatë kësaj interviste ka thënë se duhet të miratohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, duke shtuar se është për keqardhje që liberalizmi i vizave, sipas tij, pengohet nga disa individë për arsye politike – nga ata që kanë mundësi të udhëtojnë lirshëm!

Intervistën e plotë me ambasadorin Delawie, mund ta lexoni më poshtë:

Telegrafi: Keni shprehur shqetësimet tuaja lidhur me iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për Projektligjin për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Madje, keni thënë se në rast se ky projektligj miratohet, do të rivlerësoni bashkëpunimin SHBA-Kosovë. A do të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë në rast se Kuvendi e miraton këtë Projektligj? Pra, a rrezikohen të dëmtohen raportet SHBA-Kosovë?

Delawie: Që nga viti 2012 kemi punuar ngushtë me Ministrinë e FSK-së dhe elementet tjera të Qeverisë së Kosovës, për hartimin e planit të transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës. Krijimi i FAK-ut nuk është qëllim veç i Kosovës, por gjithashtu edhe qëllimi ynë. Por, kemi qenë të qartë se themelimi i një ushtrie duhet të bëhet përmes amendamenteve kushtetuese dhe në bashkëpunim dhe me mbështetjen e të gjithë popullit të Kosovës.

Siç kemi thënë javën e kaluar: anashkalimi i këtij procesi kushtetues, përmes ligjit, mund të ketë pasoja të mundshme për marrëdhëniet tona me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Nuk dua të spekuloj se çfarë pasojash mund të ketë, sepse ende ka kohë që Kuvendi ta bëjë gjënë e duhur dhe ta hedh poshtë këtë projektligj. Gjithashtu, mendoj se është e rëndësishme të reflektohet ndaj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg i cili javën e kaluar tha “nëse mandati i FSK-së evoluon ashtu siç është propozuar, NATO-s do t’i duhet ta rishikojë nivelin e saj të përkushtimit, në veçanti lidhur me ndërtimin e kapaciteteve”.

Telegrafi: Pra, mendon se nuk ishte momenti i duhur që institucionet e Kosovës, në këtë rast presidenti Thaçi, ta iniciojë themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës?

Delawie: Ne e respektojmë të drejtën e Kosovës si shtet sovran që t’i marrë vendimet e veta, por nuk mendojmë se është koha për këtë, e as mënyra e duhur për t’i ndërmarrë këta hapa kaq të rëndësishëm.

Telegrafi: Kur, sipas jush, është koha e duhur që Kosova të formojë Ushtrinë e saj?

Delawie: Ekziston një plan tranzicioni, i cili është përpiluar në bashkërenditje të ngushtë me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por është plan i cili kërkon vite të tëra për t’u përmbyllur dhe që kërkon ndihmë të vazhdueshme nga SHBA-të dhe NATO-ja.

Telegrafi: Të kthemi pak tek çështja e Demarkacionit me Malin e Zi. Opozita ka paralajmëruar sërish bllokadë nëse marrëveshja kthehet për votim në Kuvend. Si i shihni ju paralajmërimet e tilla dhe, cila do të ishte zgjidhja e duhur për këtë situatë?

Delawie: Kemi përsëritur se marrëveshja për shënimin e kufirit është e mirë dhe se duhet të miratohet. Është për të ardhur keq që individët, të cilët tashmë e kanë mundësinë të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë, e pengojnë pjesën tjetër të popullatës së Kosovës për të vepruar njëjtë – për arsye politike.

Telegrafi: Sivjet thuhet se do të ngritën akuzat e para me të cilat do fillojë të veprojë Gjykata Speciale. Si e shihni Kosovën në periudhën e Gjykatës Speciale dhe pas saj?

Delawie: Shpresojmë që Gjykata Speciale do të sjell disa individë para gjyqit dhe se do të ndihmojë në shërimin e plagëve të mbetura.

Telegrafi: Përse Ambasada amerikane akoma nuk ka filluar të lëshojë vizat për banorët e Kosovës, por ata detyrohen të shkojnë për këtë në Maqedoni. Kur pritet të zgjidhet ky problem?

Delawie: E kuptojmë se sa e vështirë dhe e papërshtatshme është për kosovarët që të udhëtojnë në Shkup për një intervistë për vizë. Në janar të vitit 2017, kemi nis t’i pranojmë aplikacionet për kosovarët mbi 60 vjeç. Kishim me dhjetëra të tillë që kanë aplikuar dhe ata janë shumë të kënaqur me shërbimin. Javën e ardhshme do të fillojmë me procedimin e vizave J1, për programin veror “Punë dhe udhëtim”, i cili është program shkëmbimi për studentë që u mundëson atyre të punojnë në SHBA gjatë pushimeve verore. Më shumë se 500 aplikantë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në Shkup këtë vit.

Do të dëshironim t’i ofrojmë të gjitha shërbimet për viza, por jemi të kufizuar për shkak të hapësirës, sigurisë dhe të numrit të punëtorëve. Ambasada jonë nuk është paraparë që të pranojë, në suaza të sigurta, qindra aplikantë për viza. Jemi duke bërë aq sa kemi mundësi brenda zyrave tona, por jemi duke shqyrtuar mundësinë që të bëjmë më shumë. Posa të shpërngulemi në objektin e ri vitin e ardhshëm, do t’i ofrojmë të gjitha shërbimet për viza. Ndaj, shpresoni si ne për mot të mirë që ndërtimi të shkojë pa pengesa.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img