Pas zhvillimeve në fund të muajit maj në veri të Kosovës, zëdhënësi i Shtabit, kolonel Andrea Gallieni, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për aktivitetet e KFOR-it.
I pyetur rreth arrestimit të dy protestuesve të dhunshëm në veri, ai ka thënë se Policia e Kosovës është përgjegjëse për sundimin e ligjit.
“Po, sepse Policia e Kosovës është përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe për zbatimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Gallieni.
Tutje, ai ka treguar se këta dy persona më vonë janë arrestuar nga Policia e KFOR-it.
“Gjatë protestës, dy djem që po kryenin një aksion të paligjshëm apo të dhunshëm ndaj trupave të KFOR-it, u ndaluan, por më pas, Policia e KFOR-it i mori dhe nëse i ka arrestuar, ata kanë gjetur diçka të jashtëligjshme në sjelljen e tyre”, ka theksuar ai.
Kujtojmë se më 29 maj, 30 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga përleshja me protestues të dhunshëm serbë që kishin dalë para tri objekteve komunale në veri të vendit në mënyrë që t’i pengojnë kryetarët e rinj për ta ushtruar detyrën e tyre.