Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ri për Zgjedhjet, të cilin votim e ka përshëndetur Bashkimi Evropian.
Sipas Bashkimit Evropian, kuvendi në gusht të vitit 2022 kishte bërën jë hap të madh në trajtimin e rekomandimeve të BE-së në fushën e financimit të fushatës përmes Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike
“Që nga viti 2013, BE-ja në Kosovë i ka monitoruar si zgjedhjet komunale edhe ato të përgjithshme dhe ka ofruar një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kornizës zgjedhore. BE-ja në Kosovë është e lumtur të shohë se shumica e këtyre rekomandimeve tanimë janë përfshirë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në reagimin e BE-së.
Tutje, BE-ja i ka bërë thirrje KQZ-së që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme
“Gjithashtu kemi parasysh se disa nga rekomandimet teknike duhet të zbatohen në vazhdimësi dhe theksojmë se vlerësimi i përgjithshëm do të mund të bëhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme”.
“BE-ja në Kosovë e ka mbështetur Komisionin Ad-Hoc, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e Kosovës në këtë proces dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen”, thuhet në reagim.
E, për miratimin e këtij ligji, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se e përshëndet votimin e reformës zgjedhore nga kuvendi.
“Një shembull i rezultateve të mira kur partitë punojnë së bashku dhe me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Këto reforma e harmonizojnë më tej Kosovën me standardet e BE-së dhe forcojnë normat demokratike”, tha Hovenier.