13.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Escobar dhe Lajçak kthehen tek eprorët “pa përgjigje të qarta” nga Kurti për kërkesat e tyre

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së bashku me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak të hënën e 5 majit takuan në mbrëmje Kryeministrin e vendit, Albin Kurti për t’i paraqitur kërkesat e tyre, pas tensionimit të situatës në komunat veriore në Kosovë.

Emisari amerikan dhe ai evropian paraqitën tri kërkesa tek kreu i Qeverisë së Kosovës, si “qetësimi i situatës në terren në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në Dialog”, por që siç tha Lajçak për zgjedhjet nuk arritën dakordim.

“I dërguari amerikan, Escobar dhe unë u takuam me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën në veri dhe bëjmë thirrje për shtensionim të menjëhershëm në terren, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në dialogun për normalizim”, tha Lajçak para mediave.

Derisa ky i fundit tha se për kërkesën e dytë nuk arritën të pajtohen me të parin e Qeverisë, emisari amerikan, Gabriel Escobar gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media në Beograd tha se zgjedhjet në komunat veriore do duhej të mbaheshin para fundit të muajit korrik.

Mirëpo, kësaj deklarate të tij, iu përgjigj mbrëmë kryeministri Kurti përmes një interviste dhënë në mediumin francez “France 24”, ku tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se zgjedhjet e reja në komunat veriore do të mbahen pas disa muajve, por jo para korrikut siç ka kërkuar emisari amerikan, Gabriel Escobar.

“Pas disa muajve mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi është sundimi i ligjit. Duhet të kemi së pari që të heqim bandat e dhunshme dhe vetëm atëherë mund të kemi zgjedhje të hershme”, tha Kurti.

Escobar madje sa i përket kryetarëve të rinj në komunat veriore ka thënë se mund të përdorin ndërtesa tjera alternative duke qenë se nuk kanë legjitimitet dhe punët e tyre janë administrative, por se Kryeministri Kurti ka thënë se kryetarët e kanë vendin në zyret e objekteve komunale.

“Në këto tri komuna Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kemi tri objekte dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to”, tha Kurti ditë më parë në një intervistë dhënë për BBC.

Ndërsa, Escobar bëri të ditur se ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që t’i bindë serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja, dhe demonstruesit të tërhiqen.

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor ka theksuar se në takimin që ka patur me Vuçiqin ka thënë se “t’i kthesh shpinën marrëveshjes, i bie t’i kthesh shpinën Evropës me të gjitha pasojat”.

Ndërsa sa i përket Asociacionit, Escobar ka thënë se është në marrëveshjen e Brukselit në konkluzionet e Këshillit Evropian, në kuadër të marrëveshjes së Ohrit, dhe nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet procesit të integrimeve euroatlantike duhet ta përmbushë atë.

“Asociacioni është në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit Evropian, në kuadër të marrëveshjes së Ohrit. Nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet procesit të integrimeve euroatlantike, duhet ta përmbushë. Pyetja e vetme është se a do të formohet nga kjo qeveri apo qeveria e ardhshme”, tha Escobar në një konferencë për shtyp në Beograd.

Por, se çfarë do të ndodhë tutje me Kosovën e Serbinë nga ShBA dhe BE, Escobar ka thënë se së bashku me Lajçak do t’i raportojnë të premten eprorëve të tyre, për të marrë më pas vendime.

“Unë jam pyetur në Prishtinë se cilat janë hapat e ardhshëm dhe që të dy, zoti Lajçak dhe unë thamë se pas kësaj vizite, mua më është kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që të premten të japë një përditësim se çka po ndodhë dhe mua më duhet të raportoj se a kemi progres, apo jo. Lajçak duhet të raportojë të njëjtën tek zoti Borrell. Ky nuk është afat, por është hapi i ardhshëm për mua bazuar në këtë raport ne do të marrim disa vendime dhe të shkojmë para”, ka thënë Escobar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img