Kosova duhet t’u japë autonomi më të madhe komunave me shumicë serbe në veri të vendit nëse dëshiron t’i afrohet anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, tha të mërkurën i dërguari i ShBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Gabriel Escobar i kërkoi gjithashtu Kosovës që të tërhiqte policinë dhe kryetarët e bashkive nga zyrat e tyre në zonat me shumicë serbe për të de-përshkallëzuar tensionet dhe më pas për të mbajtur zgjedhje të reja komunale në të cilat do të merrnin pjesë serbët, raporton “Reuters”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një intervistë të mërkurën i tha “Reuters”-it se vendi i saj mund të mbajë zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe nëse 20% e votuesve nënshkruajnë një peticion duke i kërkuar ato.
Escobari u tha gazetarëve në ambasadën e ShBA-së në Beograd: “Nëse Kosova dëshiron të shkojë drejt integrimit euroatlantik, do të duhet të krijojë (një asociacion të komunave (me shumicë, shën.red.) serbe)”.
“Kjo do të ndodhë. Pyetja është, a do të ndodhë me këtë qeveri (të Kosovës) apo me një qeveri tjetër, të ardhshme”.
Serbia, e cila përkrah rreth 50,000 serbë në Kosovën veriore si financiarisht ashtu edhe politikisht, do të duhet të sigurojë që serbët e këtij rajoni të marrin pjesë në zgjedhjet e reja, shtoi Escobar.
Katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre dhe po sfidojnë qeverinë në Prishtinë.
Serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e vendit dhjetorin e kaluar. Ata duan autonomi më të madhe, sipas dispozitave të një marrëveshjeje të 2013 të sponsorizuar nga BE, e cila parashikonte formimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.
Kryeministri Albin Kurti heziton të zbatojë marrëveshjen sepse ka frikë se nëse u jepet më shumë autonomi, serbët mund të mbajnë një referendum për t’u bashkuar me Serbinë në vend që të qëndrojnë si pjesë e Kosovës.
Përforcimet për forcën paqeruajtëse të NATO-s filluan të mbërrijnë në Kosovë këtë javë pas trazirave të fundit.