Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e 145-të, në të cilën ka miratuar:
· Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve Daneze. Projektligji ratifikon marrëveshjen e nënshkruar nga ministritë e drejtësisë së të dyja vendeve.
· Projektligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës (ZKM). Ky ligj ka për qëllim të themelojë Fondin Sovran të Republikës së Kosovës si institucion investiv dhe zhvillimor, të përcaktojë statusin, funksionet dhe qeverisjen e Fondit, si dhe të rregullojë menaxhimin e aseteve, investimet dhe financimin e Fondit.
· Projektligjin për Kadastër të Pronës së Paluajtshme.
Plotësim-ndryshimin e Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2023.
· Vendimin me të cilin Qeveria e Kosovës Propozon Kryesuesin dhe një anëtar në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
· Ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Këshillit Shtetëror të Pranimit.
· Manualin për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike.
· Udhëzimin Administrativ për Masat për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijës nga Abuzimi me Narkotikë i cili ka për qëllim që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi me narkotikë përmes masave parandaluese dhe mbrojtëse; avokimit të mënyrës së shëndetshme të jetës dhe dekurajimit të abuzimit me narkotikë; dhe me përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve përkatëse.
· Vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, kandidatët për pozitën e 1 (një) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
· Kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndarjen e mjeteve buxhetore për Projektin “Komunat për të Rinjtë në Kosovë” në bashkëfinancim me Bankën Botërore. Me këtë vendim ndahen mjete buxhetore në shumën prej 250,000 euro (dyqind e pesëdhjetëmijë euro) për këtë projekt.
· Ndryshimin dhe plotësimin e vlerës së shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve në Shtojcën 2. të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/ 2015 për Përcaktimin e Kostos së Shpenzimeve të Transportit të Mallrave të Importuara, konform listës së përditësuar të çmimeve. Vendimi është aprovuar sipas analizës dhe hulumtimeve të Doganës së Kosovës e cila ka gjetur se në nivel global kostot e shpenzimeve të transportit detar kanë pësuar rënie të theksuar si rezultat i rrënjës së vëllimit tregtar. Me qëllim të harmonizimit të çmimeve të transporti detar, Dogana e Kosovës ka rekomanduar që të bëhet rishikimi i shpenzimeve të transporti detar.
· Emërimin e Komisionit për hartimin e Katalogut të Vendeve të Punës për Zyrtarë Publikë.
· Themelimin e Komitetit Drejtues dhe Koordinues për shqyrtimin e progresit të zbatimit të masave të Planit të Zbatimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike
· Ndarjen e mjeteve buxhetore për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023 në Qendrën Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI), me seli në Shkup. Ndahen mjete financiare në vlerë prej 20,721.00 € (njëzetë mijë e shtatëqind e njëzet e një euro) për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023.
· Themelimin e Grupit Punues për hartimin e Konceptit për themelimin e Muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish- Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj Shqiptarëve në Kosovë .
· Ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 03/143 të datës 24 maj 2023 për formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit.
· Vendimin Përfundimtar për shpronësimin dhe krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Linjës 2x 110kV “Kastrioti” në Qytetin e Ferizajt, në dobi të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut Sh, A.
· Vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK- Sh. A.) në zonat kadastrale Shipitull, Leskoshiq dhe Sibovc të komunës së Obiliqit.
· Rishikimin e Strategjisë Shtetërore për Ujërat e Kosovës 2023-2027 dhe Planit të Veprimit 2023-2025.
Po ashtu, u bë informimi i Kabinetit Qeveritar për zbatimin e Planit të Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane (PV Era II) gjatë periudhës janar – mars 2023.