Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi se e kanë numrin e nevojshëm të deputetëve për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.
Ish-kryeministri Haradinaj para gazetarëve tha se është i papranueshëm eskalimi i fjalorit të kryeministrit ndaj aleatëve.
Sipas tij, një gjë e tillë e bën të vështirë rrugën përpara, për çka kanë filluar pasojat. Kreu i AAK-së, shtoi se mocioni i mosbesimit është zgjidhja e duhur.
Ai thekson se Kosova ka pranuar tri kërkesat e ShBA-ve dhe BE-së për deeskalimin e situatës, raporton KP.
Tutje, ai shtoi se institucionet e Kosovës kanë bërë tri gabime, të cilat tash po i vuan vendi.
“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të inicuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë”, deklaroi ai.