Emisari i ShBA-ve, Gabriel Escobar, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe si “asgjë më shumë se aftësinë e serbëve të organizim të institucioneve lokale në gjuhën e tyre”.
Këto komente emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor i ka bërë të martën në një intervistë për mediumin boshnjak, Klix.ba.
Ai përmendi se Asociacioni ishte në vijë me standardet e BE-së.
“Ne e shohim Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe asgjë më shumë se aftësinë e serbëve për të organizuar institucione lokale në gjuhën e tyre. Nuk shohim ndonjë kërcënim në këtë gjë…”, tha Escobar.
Më tej, emisari u pyet edhe në lidhje me mbështetjen amerikane për Procesin e Berlinit dhe Ballkanit të Hapur.
Ai u shpreh se mbështeste edhe Procesin e Berlinit, CEFTA-n dhe po ashtu Ballkanin e Hapur.
“Për ne nuk ka asnjë dilemë mes procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. Nuk po krijojmë një strukturë të re në Ballkan. Kjo është narrativë toksike e prodhuar nga ata që duan të përçajnë”, komentoi emisari.
Ndërkohë, Escobar e denoncoi ashpër Milorad Dodikun, duke thënë që ai kishte retorikë destabilizuese dhe se veprimet e tij i bënte për të mirën personale dhe jo të popullit.