Në debatin për situatën e krizës në veri të Kosovës në Parlamentin britanik, deputetja konservatore Alicia Kearns ka hedhur ktiika të ashpra ndaj shtetit britanik, por edhe ndaj aleatëve perëndimorë për qasja disproporcionale ndaj Kosovës dhe “milicisë së armatosur”, që ajo ka thënë se sponsorizohet nga Beogradi.
“Është gabim që SHBA-ja dhe BE-ja zgjedhin që ta sulmojnë Kosovën pa kritikë ndaj milicisë së armatosur, e cila e krijoi situatën”, ka thënë deputetja Kearns në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe.
Ndërkaq, ministri i Shtetit në Zyrën së Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit në Britaninë e Madhe ka thënë se njeh ekspertizën e Kearns për situatën në Kosovë.
Ai ka shpjeguar veprimet dhe qëndrimin e Britanisë së Madhe për situatën e tensionuar në Kosovë.
“Më 18 maj së bashku me SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Italinë e BE-në, ne kërkuam që për punën e komunave në veri të gjendet një zgjidhje afatgjate. Paralajmëruam kundër përdorimit të forcës apo veprimeve që mund të rrisin tensionet. Më 26 maj shprehëm shqetësimin për vendosjen me forcë të kryetarëve në objektet e komunave, si dhe veprimit të Serbisë për të rritur gatishmërinë e forcave ushtarake rreth kufirit të Kosovës. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të largojë Njësitet Speciale të Policisë nga komunat, e kryetarët të ushtrojnë detyrat nga lokacione alternative. Emisari Sir. Stuart Peach ka vizituar Kosovën më 30 maj, është takuar me krerët e institucioneve atje dhe po ashtu me komandantin e KFOR-it”, ka theksuar Mitchell.
Ai ka deklaruar se ka angazhime konkrete të Britanisë së Madhe për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.