Është mbajtur takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në Mal të Zi. I njëjti është vlerësuar se shërben për bashkëpunim rajonal si dhe zhvillim të vendeve.
Pjesë e takimit në Budva ka qenë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.Ajo ka thënë se Kosova po angazhohet për bashkëpunim rajonal, stabilitet dhe zhvillim.
“Kemi një rrugë të gjatë përpara. Republika e Kosovës është këtu për t’u angazhuar në dialog serioz dhe për të përforcuar përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim rajonal, stabilitet dhe zhvillim”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.
Ndërsa, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se përparimi i përshpejtuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë proces që sjell përfitime për njerëzit dhe përcakton të ardhmen për rajonin.
Lidhur me këtë takim ka shkruar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke thënë se po ndërtojnë ura bashkëpunimi me të gjithë fqinjët.