3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Halimi e LDK-së: Kurti ra në grackën e Serbisë, e lëshoi gjuhën e po përplaset me aleatët

Zëdhënësja Politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, thotë se brenda dy vitesh, Qeveria Kurti ka arritur që të përmbys narracionin për Kosovën në mediat ndërkombëtare, duke bërë që vendi të paraqitet përmes një fotografie të zymtë ku konflikti dhe dhuna i përshkruhen Kosovës.

Ajo thotë se është shqetësuese se si gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung e përshkruan kryeministrin Kurti si një politikan që bën veprime në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit.

Halimi thotë se imazhi i Kosovës që është dhënë ditëve të fundit në mediat e botës do të ndikojë edhe në qëndrimin e ndonjë investitori të huaj që potencialisht do të kishte menduar të investoj në Kosovë.

Zëdhënsja e LDK-së thotë se taktikat e pamatura të Kurtit dhe mungesa e strategjisë për integrimin e serbëve, do t’i kushtojë Kosovës jo vetëm për imazhin.

“Taktikat e pamatura të Kurtit, pa strategji për integrimin e serbëve kosovarë në shtet, do të t’i kushtojë Kosovës në thelb, jo vetëm në imazh, sepse pak vende në botë janë nën sanksionet amerikane dhe janë ato vende që i përkasin boshtit të së keqes. Dëmet e shkaktuara vështirë do të ndreqen, sepse i marrin Kosovës kohën e saj për prosperitet e afirmim në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Halimi.

Reagimi i plotë:

Në vazhdimësi, sidomos pas pavarësimit, Kosova në shtypin Perëndimor është prezantuar si një tregim suksesi në ndërtimin e paqes dhe solidaritetit qytetar.

Të gjithë kemi bërë përpjekje për këtë pamje të vendit tonë në sytë e të huajve, sepse nuk thuhet kot se ti je ashtu siç të sheh tjetri.

Një vend i vogël që arriti të bëjë vepra të mëdha – të përbashkëta – sidomos në etablimin e demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut e lirive civile për të gjithë, natyrisht falë rrugëtimit me miq, posaçërisht ShBA-n.

Mirëpo, klasa aktuale politike duke mos ditur t’i lexojë mesazhet diplomatike e lëshoi gjuhën, duke i shndërruar marrëdhëniet me po ata aleatë, nga cilët nuk na erdhi asnjë e keqe, në zënka, për më keq në sherre!

Në mungesë të rezonit shtetëror, Kosova ra në grackë të Serbisë, sepse vetëm fqinji verior dëshiron përplasjen me aleatët.

Qeveria e Albin Kurtit për dy vjet e përmbysi narracionin për Kosovën në median ndërkombëtare në një fotografi të zymtë, si një zonë gri ku konflikti e dhuna i përshkruhen palës kosovare, për herë të parë gjatë dy dekadave, duke vënë shenjën e barazimit me Serbinë.

Shqetësuese se si gazeta e njohur gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung portretizon kryeministrin kosovar si një lider, politikat e të cilit përputhen me planet serbe për destabilizim të rajonit.

Në kohën kur Kosova dhe qytetarët e saj po ballafaqohen me krizat e jetës së shtrenjtë dhe mungesës së vendeve të reja të punës, imazhi i tillë i vendit në arenën ndërkombëtare do të ndikojë direkt në hezitimin e investimeve të huaja. Taktikat e pamatura të Kurtit, pa strategji për integrimin e serbëve kosovarë në shtet, do të t’i kushtojë Kosovës në thelb, jo vetëm në imazh, sepse pak vende në botë janë nën sanksionet amerikane dhe janë ato vende që i përkasin boshtit të së keqes. Dëmet e shkaktuara vështirë do të ndreqen, sepse i marrin Kosovës kohën e saj për prosperitet e afirmim në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Rrjedhimisht, vendi ynë ka ndërruar kursin e drejtimit, pa e ditur se në cilin breg do të ankorohet dhe kur e si do të dalë.

Çmimi do të jetë i madh, fatkeqësisht!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img