2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Escobari e Lajçaku sot e nesër vijnë në Kosovë e Serbi, pritet ulje e tensioneve në veri

Të dërguarit amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak pritet të qëndrojnë sot në Beograd dhe të martën në Prishtinë, për të nxitur palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, ku për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.

Diplomacia perëndimore po vazhdon thirrjet që Kosova dhe Serbia të angazhohen për të rikthyer qetësinë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Zveqan, Zubin Potok e Leposaviq, ku të dielën numër më i ultë i qytetarëve serbë u mblodhën para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë në zyrat e tyre.

Shtetet e Bahskuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të largojë njësitë e posaçme të policisë nga ndërtesat komunale, zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja. Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.

Bashkimi Evropian të shtunën paralajmëroi se dështimi për të bërë hapa në shtensionim të situatës do të ketë pasoja negative për të dyja palët.

Duke mbështetur kërkesat e tilla, të shtunën, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, publikoi një udhëzues prej nëntë pikash për të siguruar shtensionimin dhe normalizimin, paqen dhe qëndrueshmërinë në Kosovë në të cilin kërkohet që Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë zotimet për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Në udhëzues thuhet se kryetarët e zgjedhur të komunave në veri duhet të dorëhiqen gjatë verës për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të mbaheshin deri në fund të vitit.

Kryesuesi i OSBE-së tha se organizata e tij do të mbështesë procesin zgjedhor dhe rritjen e mirëbesimit në mes të komuniteteve.

Nën trysninë perëndimore udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në komunat veriore të banuara me shumicë serbë, por kanë akuzuar njëri tjetrin për situatën në terren.

Tensionet në veri të Kosovës pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nxiti reagimin e palës serbe që u hodh në protesta të cilat u përshkuan me dhunë të hënën duke shkaktuar plagosjen e 30 pjesëtarëve të KFOR-it dhe duke nxitur shqetësime për ripërtëritje të konfliktit në rajon.

NATO-ja tha se 700 trupa shtesë do të vendosen në Kosovë dhe trupa të tjerë janë në gatishmëri për t’iu bashkuar forcave paqeruajtëse nëse është e nevojshme.

Ministria turke e Mbrojtjes tha sot se ka nisur trupa komando në Kosovë në përgjigje të kërkesës së NATO-s. Duke shoqëruar me pamje të trupave në rrugë e sipër kjo ministri tha se batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img