2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Eksperti gjerman: Kina dhe Rusia po synojnë pushtimin e Ballkanit Perëndmor

Jens Bastian nga Instituti Gjerman për Ndërkombëtar dhe Çështje të Sigurisë, thotë se Rusia dhe Kina përfitojnë lehtësisht nga ngurrimi i Perëndimit dhe po zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkan përmes sektorëve të ndryshëm, qofshin ato infrastruktura, kreditë apo “diplomacia e vaksinave” nga koha e pandemisë së coronavirusit.

Eksperti gjerman ka thënë për Al Jazeera se ndërgjegjësimi për ndikimin e Moskës në rajon është rritur në Ballkan pas pushtimit rus të Ukrainës dhe se pjesa më e madhe e gadishullit ballkanik qëndroi në anën e Perëndimit dhe mbështeti Kievin qoftë ushtarakisht ose ekonomikisht, por që bastionet ruse mbetën në Beograd dhe Banja Llukë.

Ai thotë se ngjarjet e fundit në Kosovë dhe mbështetja e Kremlinit për Serbinë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duhet të jetë sinjal për pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Pas invazionit rus në Ukrainë, ndërgjegjësimi për ndikimin e Moskës në Ballkanin Perëndimor u rrit ndjeshëm në vendet e Ballkanit. Shumica e qeverive zhvillojnë dhe zbatojnë kundërstrategji për të reduktuar një ndikim të tillë. Kjo është veçanërisht e dukshme në fushën e varësisë nga energjia – një shembull është importi i gazit natyror, karburantit dhe teknologjisë bërthamore – shumica e vendeve gjejnë zgjidhje alternative për të reduktuar ekspozimin ndaj Rusisë”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Bastian thotë se ky kërkim për alternativa përfshin një nivel të ri bashkëpunimi dypalësh dhe rajonal që nxjerr në pah një fakt premtues.

“Qeveritë nga Tirana, përmes Shkupi deri në Podgoricë po bashkohen me fqinjët Athinën, Sofjen dhe Zagrebin për të koordinuarnevojat e tyre për infrastrukturën energjetike. Përjashtim të dukshëm nga ky zhvillim i situatës janë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina (entiteti Republika Srpska)”.

I pyetur nëse pajtohet me disa ekspertë që besojnë se, nëse Rusia do të kishte arritur qëllimin e saj të fitonte në javët apo muajt e parë të pushtimit të Ukrainës, se Ballkani mund të ishte një objektiv i ri apo një vatër e re lufte, ai thotë se vendet që do të ishin më të rrezikuara nëse Rusia do të arrinte një fitore të shpejtë ushtarake në Ukrainë, do të ishin Polonia, tre shtetet baltike (Estonia, Lituania, Letonia) dhe Moldavia.

“Pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, katër vendet e Ballkanit Perëndimor që janë anëtare të NATO-s, pra Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia (kjo e fundit është edhe anëtare e BE-së dhe e Eurozonës) mbajtën një qëndrim proaktiv në mbështetjen e Ukrainës me ndihmë ushtarake, duke reduktuar bashkërisht varësinë nga Rusia dhe duke mbështetur sanksionet ekonomike dhe financiare kundër Rusisë. Aleatët më të afërt të Putinit në Ballkanin Perëndimor mbeten Serbia nën presidentin Aleksandar Vuçiq dhe entiteti serb i Bosnjës, Republika Srpska nën presidentin Milorad Dodik”.

Eksperti gjerman thotë se ajo që e shqetësim më shumë në rajon është Kosova.

“Përshkallëzimi që kemi parë ditët e fundit nxjerr në pah se sa polarizimi i thellë politik ushqehet nga shpërthimet e përsëritura të dhunës. Mbështetja e vazhdueshme ruse për Serbinë dhe mosnjohja e saj e sovranitetit shtetëror të Kosovës duhet të çojë në ndryshimin e qëndrimeve të pesë anëtarëve të Bashkimit Evropian që refuzojnë të njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Ndërsa lidhur me aktivitetin ekonomik, Bastian thotë se “ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor shihet më së miri në energjinë, turizmin, pjesë të caktuara të domenit financiar dhe në aktivitetin e medias, qofshin ato media tradicionale si TV apo reklamat, qofshin ato platforma dixhitale. Ky ndikim është më i përqendruar në Serbi dhe në pjesë të Bosnjës e Hercegovinës”.

“Nga këndvështrimi im, kapaciteti i Rusisë për ndikim është më i fortë në obstruksionin politik, fushatat e dezinformimit ndërsa përpiqet të shtyjë ose mbajë Beogradin dhe Banja Llukën në orbitën ruse. Kjo reflektohet në refuzimin e Serbisë dhe Republika Srpska për të mos miratuar asnjë nga paketat e sanksioneve që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës”.

I pyetur se pse rajoni i Ballkanit është interesant për Kinën dhe si manifestohet ndikimi kinez në Ballkan, eksperti gjerman thotë se dinamika gjeopolitike dhe gjeoekonomike që e bëri Kinën një lojtar kryesor në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të befasojë askënd.

“Veprimet e Kinës përmes infrastrukturës dhe marrëveshjeve të huadhënies përmes Iniciativës Brez dhe Rrugë (BRI), së bashku me veprimet përmes të ashtuquajturës diplomaci të vaksinave në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Greqi dhe Turqi, tregojnë vendosmërinë e Pekinit për t’uimponuar si një ‘fuqi e përgjegjshme’ në zhvillim në perëndim të Ballkanit dhe juglindje të Evropës”.

“Por kjo këmbëngulësi mbështetet gjithashtu në mundësimin e veprimit lokal. Gatishmëria e qeverive dhe përfaqësuesve të korporatave në Tiranë, Beograd, Shkup, Banja Llukë, Athinë dhe Ankara në dekadën e fundit, për të kërkuar në mënyrë proaktive investime kineze, është dëshmi e kësaj. Ndërtimi i urave dhe autostradave nga Kina, blerjet e porteve, investimet në miniera bakri dhe huamarrja e gjerë për projekte infrastrukturore – e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur nëse komunitetet lokale do të kishin hezituar të hapnin dyert dhe të kërkonin lidhje me Pekinin”.

Ai thotë se historikisht dhe kulturalisht, ndikimet lindore kanë qenë gjithmonë të pranishme në Ballkanin Perëndimor.

“Është një tipar magjepsës dhe herë pas here konfuz i një rajoni ku shtetet kanë ndryshuar emra, kufij, janë lidhur dhe janë distancuar nga organizma më të mëdhenj si Rusia, ish-BRSS, Kina dhe ish-vendet ‘e painkuadruara’, lidhjen me SHBA-të dhe integrimin e pa plotë në BE”.

“Ndikimet lindore janë të dukshme në muzikë, arkitekturë, tradita të kuzhinës dhe gjuhë. Ato janë konstante në jetën e përditshme të Ballkanit Perëndimor. Sot ka një debat të madh se sa larg dhe sa thellë shkojnë faktorët politikë ekonomikë me karakteristika lindore në gjashtë vendet që përbëjnë Ballkanin Perëndimor?”, tha eksperti gjerman.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img