Analisti Sadri Ramabaja, i cili njihet si mbështetës i madh i VV-së dhe Albin Kurtit, ka kritikuar diplomacinë perëndimore që po e përkrah presidentin serb Aleksander Vuçiq dhe jo opozitën serbe.
Duke komentuar takimin e fundit që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur me presidentin serb në Moldavi, ai ka thënë qëndrimi i presidentit të Francës në krah të djathtë të presidentit të Serbisë nuk është i rastësishëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar pse po vepron në këtë mënyrë diplomacia perëndimore.
“Diplomacia perëndimore në përpjekje për ta ndalur marshin rus, vazhdon tutje me iluzione se personi i Vuçiqit është ai i duhuri nga Serbia! Madje edhe tashti kur do të duhej ta izolonte Vuçiqin dhe të ishte në krah të drejtuesve të revolucionit demokratik, që tashmë ka filluar në Serbi. Në krahun e djathtë të presidentit serb, duket se nuk është e rastit që qëndron presidenti francez Macro. Shpenzimi i energjive diplomatike vazhdon”, ka shkruar Ramabaja.