-0.1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Trajneri i Lirisë për sfidën e barazhit: S’kemi frikë nga Ferizaj

Inkuadrimi në Superligën e Kosovës në futboll është synimi madhor i Lirisë. Skuadra nga Prizreni duhet ta mposhtë Ferizajn këtë të diel për ta arritur këtë objektiv, andaj në stadiumin “Përparim Thaqi” stërvitjet po bëhen me intensitetin dhe përkushtimin maksimal.

Nën urdhrat e trajnerit Xhengiz Rexhepi, futbollistët e Lirisë po marrin udhëzimet e fundit para sfidës më të rëndësishme të sezonit për ta.

Trajneri Rexhepi shprehet shumë i kënaqur me arritjen e skuadrës deri në këtë pikë, por kërkon nga lojtarët edhe hapin vendimtar, që është triumfi ndaj Ferizajt.

“Unë nga ecuria e skuadrës jam tepër i kënaqur mendoj që kemi arritur shumë sukses të madh në bazë të performancës të treguar, skuadrës në tërësi që e kemi. Unë ndihem krenar me grupin që udhëheq ashtu që tani jemi vetëm një ndeshje larg Superligës, mendoj që me plot meritë jemi në këtë vend dhe mendoj që me një lojë të mirë, me një lojë fituese ta fusim skuadrën e Lirisë në Superligë.”, thotë Rexhepi.

Sa i përket ndeshjes, Rexhepi duke folur për KosovaPress, shprehet i bindur se presioni i madh do të jetë mbi skuadrën e Ferizajt, ndërsa Liria do të jetë krejtësisht e qetë të dielën, sepse skuadra prizrenase nuk do të humbë asgjë, por vetëm mund të përfitojë nga ky ballafaqim.

“Mendoj që Liria është afër Superligës me lojë dhe me kualitetin që e posedon, atë e treguam edhe në lojën e barazhit ku pa asnjë problem shumë të madh e fituam Ulpianën. Normal që analizat i kam bërë ndaj Ferizajt, kam pasur mundësi t’i ndjekë disa ndeshje, të cilat i kanë luajtur, është një skuadër e mirë, kanë pasur një ecuri të mirë, por barazhi ndryshon nga lojërat e ligës. Mendoj që gjithë presioni është tek skuadra e Ferizajt për shkak se ata mund ta humbin statusin e Superligës, ndërsa Liria vetëm mund të përfitojë nga kjo ndeshje ashtu që në mënyrë më të qetë do të dalim dhe do të japim gjithçka nga vetja.”, thekson Rexhepi.

Në ndeshjen e fundit të Superligës së Kosovës, Ferizaj triumfoi ndaj Dukagjinit me rezultat 2-1, duke iu falënderuar një goli që ngjalli shumë reagime për mënyrën se si u realizua, dyshime këto që tashmë janë duke u hetuar nga prokuroria. Por, trajneri i Lirisë thotë se iu beson gjyqtarëve dhe nuk ka frikë se mund të ketë avantazhe për njërën apo skuadrën tjetër.

“Ndeshja e barazhit e ditës së diel nga gjithë Ballkani dhe ndoshta edhe më gjerë dhe këto ndeshje janë shumë të rëndësishme edhe për federatën edhe për futbollin e Kosovës, për të gjithë skuadrat. Unë mendoj që referimi do të jetë korrekt, ka qenë korrekt edhe do të jetë korrekt në çdo mënyrë. Nuk kemi frikë nga referimi për shkak që me të vërtetë referimi dita ditës në Kosovë është përmirësuar, është përvetësuar dhe ka shumë referë të mirë.”, thotë Rexhepi.

Sulmuesi Astrit Berisha deklaron se Liria nuk ia ka aspak frikën Ferizajt dhe se kjo do të shihet të dielën në fushën e lojës. Ai thotë për KosovaPress se fuqia e Lirisë është treguar edhe në Kupën e Kosovës, kur eliminuan një skuadër të madhe, siç është Drita.

“Ne që nga fillimi i kampionatit kemi mëndu që të futemi në Superligë, e kemi bërë më të mirë, por nuk arritëm që të inkuadrohemi direkt, tani luajtëm ndeshjen me Ulpianën ku treguam një ndeshje shumë të fortë, tani jemi duke u përgatitur për sfidën me Ferizajn, frikë nuk kemi sepse kemi luajtur edhe me skuadra që janë edhe më të forta se Ferizaj se me Dritën që e kemi eliminuar një ekip shumë të fortë që luan në Evropë, frikë nuk e kemi. Shpresoj që të kemi fat dhe ta mposhtim Ferizajn dhe të inkuadrohemi në Superliugë.”, thotë Berisha.

Tejet i motivuar dhe i bindur se Liria do të futet në Superligë shprehet edhe mesfushori Qemail Elshani, i cili thotë se skuadra prizrenase nuk ndihet aspak inferiore ndaj Ferizajt.

“Ne nuk ndihemi inferior për shkak se e dimë sa kemi cilësi brenda brnda grupit dhe jemi të përgatitur maksimalisht për të dhënë maksimumin ditën e ndeshjes…Objektivi që nga fillimi ka qenë hyrja në Superligë dhe kemi punuar maksimalisht për atë ditë dhe nuk do t’ia lëmë rastit asgjë.”, thotë Elshani.

Ballafaqimi ndërmjet Ferizajt dhe Lirisë do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke filluar nga ora 15:00.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img