-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Çka ndodhi me kryetarët e rinj të veriut? Dy nuk hyjnë më në komunë, njëri ka mbetur brenda

Autoritetet kosovare të sigurisë arritën që të paktën për një ditë t’i fusnin kryetarët e rinj shqiptarë të veriut nëpër komunat përkatëse të premtën. Prej asaj dite, tensionet vetëm sa janë rritur; Kosova e ka marrë ndëshkimin e parë nga SHBA-ja; dy kryetarë nuk po punojnë më në objektet komunale ndërsa njëri ka mbetur brenda objektit të komunës që nga e hëna.

Policia e Kosovës të premten arriti që t’ua mundësojë kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave veriore të hynin në objektet komunale. Por aksioni policor u konsiderua dhunë nga bashkësia ndërkombëtare dhe vendi të martën e mori ndëshkimin e parë për këtë veprim të pakoordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi të premtën u futën në zyrat e tyre në komunat veriore, pasi fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të cilat serbët i bojkotuan. Atë ditë serbët dolën në rrugë për të protestuar, por kjo nuk ndryshoi gjë. Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ndërkohë nuk ka pasur telashe mbase edhe për shkak të vendndodhjes së objektit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

E premtja kaloi dhe dita e radhës sfiduese ishte e hëna, kur ata duhej të ktheheshin në zyrë. Këtë herë kishte më shumë protestues, por kryetarët e rinj kishin hyrë në objektet komunale që herët. KFOR-i ishte më i angazhuar, duke krijuar kordone ushtarësh për t’i parandaluar serbët e mbledhur që të hynin brenda.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili i dënonte “veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës” dhe kërkonte që “masat e dhunshme të ndërpriten menjëherë”, në fillim të javës i ftoi katër kryetarët e rinj shqiptarë të veriut në një takim në Prishtinë.

Aty shkuan kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, të dy nga Partia Demokratike e Kosovës. Por takimin e bojkotuan dy kryetarët nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Mitrivicës së Veriut, Erden Atiq dhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Zeqiri u kthye në shtëpi. Në mbrëmje tregoi në Pressing në T7 se ambasadori Hovenier i kishte “qortuar pak”. Ai dhe bashkëpartiaku i tij, Peci nuk shkuan më në zyrat e tyre në objektet komunale, duke e dëgjuar këshillën e ambasadorit që të punonin në objekte alternative.

“Ne duam dhe jemi të gatshëm që këtë punë ta nisim menjëherë. Megjithatë, mundësia e eskalimit të situatës mbetet shqetësimi ynë i madh. Ushtrimi i detyrës tonë si Kryetarë do të duhej të bëhej normalisht, sikur i çdo Kryetari tjetër komune, pa pasur nevojë për mbrojtje policore. Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të tyre disa orë pas takimit me ambasadorin.

Tani, Zeqiri po punon nga zyra e komunitetit në fshatin Çabër, ndërsa Peci nga zyra për komunitete në fshatin Lipë.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, doli çdo ditë në zyrën e tij të re në komunë, por kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili shkoi herët të hënën në Komunë, nuk ka mundur të dalë që aty. Ai vazhdon të mbetet në atë objekt, i cili po mbrohet çdo ditë nga pjesëtarë të KFOR-it dhe të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Hetemi nuk ka qenë i qasshëm në telefon që prej asaj dite.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për këtë cështje që u bë arsye për trazirat ka folur sot në Bratisllavë. Atje, ai tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.

Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.

“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele”, tha Kurti, duke iu referuar strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.

“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, tha Kurti gjatë një adresimi nga Bratisllava, ku po merr pjesë në një forum për sigurinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img