Antony Blinken, shefi i diplomacisë amerikane i ka kërkuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta ndryshojë vendimin e marrë për ta vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie dhe që t’iu kërkojë serbëve në Kosovë të mos e sfidojnë KFOR-in me dhunë.
Pavarësisht kësaj, në Beograd KFOR-i po kritikohet dhe edhe pas thirrjes së Sekretarit të Shtetit, Vuçiq ka vendosur ta mbajë ushtrinë në gatishmëri për luftë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, në një reagim pas mesnate, ndërsa situata mbetet e tensionuar në veri të vendit.
Kryediplomati amerikani pati kërkesa specifike edhe për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e vendosi ushtrinë në gjendje gatishmërie pasi kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur u futën brenda objekteve komunale në katër komunat veriore.
“Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që ta ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.
Rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar nga dhuna e së hënës nga protestuesit e dhunshëm, të cilët i goditën me ç’kishin ushtarët, duke hedhur në drejtim të tyre edhe mjete plasëse si shok-bomba dhe molotov.
Ndërsa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Sekretari i Shtetit i kërkoi që “të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale dhe t’i tërheq forcat policore prej atje”.
Dhuna ndaj forcave të KFOR-it u dënua nga NATO dhe i gjithë faktori ndërkombëtar, ndërkohë që në Beograd pati kritika ndaj misionit paqeruajtës dhe dhunuesit u arsyetuan.
Për shembull, kryenegociatori i Serbisë në dialog me Kosovën, Petar Petkoviq tha se dhuna mund të parandalohej nëse KFOR-i “do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale”, ndërsa shtoi se ata do të vazhdonin.
Për shkak të dhunës, NATO të martën vendosi që të dislokojë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor për në Kosovë.
Vuçiqi s’i merr parasysh fjalët e Blinkenit, e mban ushtrinë në gjendje gatishmërie
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka përmendur disa herë këto ditë se ka dhënë urdhër për ta vënë ushtrinë në gatishmëri dhe se e ka pozicionuar atë në disa vende ku mendon se është e nevojshme.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi tha të dielën se situata në Kosovë “mund të shpërthejë në çdo moment”, të nesërmen në mëngjes shprehej se dislokimi i plotë i formacioneve të njësive ushtarake do të përfundonte deri në orën 14:00.
“Njësitë do të jenë të përgatitura për të zbatuar çdo urdhër, me shpresën se do të gjendet një zgjidhje politike”, ka thënë Vuçeviq.
“Kordoni i KFOR-it – më duket si një kordon që forcon mbrojtjen e policisë së Kosovës ndaj duarve të thata”, ka thënë ai ndër tjerash.
Vuçeviq ka folur edhe sot, edhe pasi Sekretari amerikan i Shtetit i kërkoi Beogradit që ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe. Ai tha se situata është “shumë e rrezikshme” dhe se i kanë përcaktuar vijat e kuqe.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për – Zoti na ruajt – skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviq duke folur për televizionin publik serb.
Ai tha se ushtria serbe do të jetë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake derisa të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara dhe derisa ka rrezik të lartë të sigurisë në Kosovë.