Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar sulmin e protestuesve serbë ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it.
Ai ka thënë se askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike.
Begaj ka theksuar se asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
“Dënoj ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të Veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR në Kosovë. Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike”, ka shkruar Begaj.
Ai ka përsëritur thirrjen për më shumë durim e maturi për autoritetet e Kosovës dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.