Presidenti Thaçi, tha të premten se “do të paraqesë dorëheqje dhe do ta çojë vendin në zgjedhje nëse ligjvënësit nuk e miratojnë propozimin e tij për krijimin e ushtrisë së Kosovës”.
Deklarata e tij e bërë në televizionin publik të Kosovës, RTK, erdhi pak ditë pas dorëzimit në Kuvendin e Kosovës të një projektligjit që parasheh transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një Ushtri të rregullt të saj.
Projektligji ngjalli reagimet e NATO-s dhe në veçanti të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë që e cilësuan si një ‘hap të njëanshëm’ dhe vlerësuan se “miratimi i ligjit të propozuar do të çonte në rivlerësimin e bashkëpunimit me Forcat e Sigurisë të Kosovës si dhe ndihmës afatgjatë për këto forca”.
Por, analistët në Kosovë thonë se ‘kërcënimet e Thaçit’ janë bërë pikërisht për faktin se ai është i “bindur se deputetët e Kosovës do ta votojnë ushtrinë” dhe në të kundërtën nuk do të kërcënonte me dorëheqje.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirëse në ‘nivelin parimor deklarata për dorëheqje tregon guximin t’i qëndrohet pas idesë së rëndësishme’ megjithëse thotë ai, në ‘aspektin praktik deputetët e kanë të pamundur të votojnë kundër ushtrisë’.
“Së pari është një qëllim i presidentit Thaçit që të faktorizohet në skenën politike që të dëshmojë fuqinë dhe pushtetin e tij mbi proceset politike dhe fakti i dytë është sepresidenti Thaçi e ka një besueshmëri të madhe se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojë për shndërrimin e FSK në ushtri dhe kësisoj ai do të përfitojë një kapital të madh moral dhe politik para qytetarëve të Kosovës”, thekson Muhaxhiri
Por, për Petrit Zogajn, një analist politik në vend “të gjitha arsyet që kanë çuar presidentin Thaçi në kërcënimin për dorëheqje, janë të dëmshme për shtet-formimin dhe për raportet politike të brendshme dhe me partnerët ndërkombëtarë’.
“Deklarata e Thaçit po tregon që ai po dyshon që ka një konsensus të brendshëm të paktën të partive shqiptare në raport me projektligjin për ushtrinë. Me këtë deklaratë ose me këtë kërcim për dorëheqje, po thotë hapur se nuk ka pasur aspak konsultime me partitë e koalicionit dhe me partitë tjera opozitare që ky projekt ligj të shkojë në Kuvend”, konsideron Zogaj.
Sipas tij, kërcënimi me dorëheqje është “një lloj mesazhi për partnerët ndërkombëtarë që nëse kjo iniciativë e tij për ushtrinë mund të ketë një qasje hezituese nga partnerët ndërkombëtarë atëherë Thaçi mund të krijojë një lloj destabiliteti politik brenda dhe qeverisës”.
Projektligji i presidentit Thaçi, që fillimisht iu dorëzua kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, u procedua në Qeverinë e Kosovës, ndërkohë që partneri në koalicion LDK, i dha përkrahjenme kërkesën për bashkërendim me SHBA-në”.
Aktualisht, projektligji nuk është proceduar në Kuvend, por ai është parë me shumë kundërshtime në veçanti nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. Në rrjetin social twitter ai shkroi se “Shtetet e Bashkuara besojnë që siguria e Kosovës varet nga cilësia e partneriteteve të saj. Nuk duam ta shohim Kosovën në mosmarrëveshje me partnerët kryesorë”.
Por, pavarësisht kundërshtimeve, presidenti Thaçi tha se “çështjes do t’i shkojë deri në fund’ duke vlerësuar se “ka deklaruar se FSK-ja duhet të transformohet në ushtri dhe kthim mbrapa nuk ka.
Ky kundërshtim ndaj deklarimeve ndërkombëtare për analistin e çështjeve politike Artan Muhaxhiri, ka qenë e pritshme dhe sipas tij, liderët politikë duhet të jenë më këmbëngulës në raport me idetë burokratike që mund të vijnë nga Brukseli apo ndonjë shtet tjetër.
“Ka qenë e pritshme që në një moment të vijë edhe deri te kundërshtimi i ideve ndërkombëtare pasi që për fat të keq shume herë disa ide që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe NATO nuk përputhen me mentalitetin në Kosovë. Tani është një mundësi e mirë që institucionet e Kosovës të faktorizohen në raport me Bashkësinë ndërkombëtare duke ngulur këmbë se realiteti i Kosovës është ndryshe nga deklaratat e burokratëve perëndimor në raport me Kosovën”, vlerëson Muhaxhiri.
Forca e sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit Ahtisaari, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Zëvendësnegociatori Albert Rohan pak ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë se FSK-ja është vetë ushtria e Kosovës.
Forca e Sigurisë e Kosovës tre vjet më parë përmbushi kapacitetet operacionale dhe autoritetet në vend nisën rishikimin e sektorit të sigurisë duke kërkuar më shumë kompetenca për FSK-në që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë. Kjo megjithatë duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradit zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese.
Në vitin 2014 përplasjet rreth çështjes së ushtrisë së Kosovës çuan vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.