Një sistem i menaxhimit në distancë nga ana e katër kryetarëve të rinj të komunave veriore me shumicë serbe po shihet si modaliteti më i afërt për të qetësuar situatën në veri të vendit.
Në të kundërtën njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi konsideron se do të ketë përshkallëzim të situatën në katër komunat veriore, ku pjesëtarët e komunitetit serb po kundërshtojnë me protesta shkuarjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi derisa thekson se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme me veprimet e saj, deklaron se duhet të gjendet një modalitet për funksionimin e kryetarëve në komunat Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq.
Sipas tij, Beogradi asnjëherë nuk zgjedh mjetet për të destabilizuar gjendjen në veri të Kosovës.
“Realiteti është që ajo po has në protesta të vazhdueshme nga komuniteti serb dhe i përkrahur dhe shtytur nga Beogradi, i cili nuk zgjedh mjete për të destabilizuar apo edhe për të ngritur shqetësime në katër komunat në veri dhe mendoj se duhet të gjendet një modaliteti se si këta kryetarë duhet funksionalizohen me qëllim të mbarëvajtjes së punës së tyre…Një sistem i menaxhimit në distancë po i kthehemi sikur sistemit akademik të studimeve kur edhe ajo është e mundshme pak e vështirë në këtë situatë nga mundësia nga që realisht këto masa që u ndërmorën nuk hasën në përkrahje të ndërkombëtare në rend të parë të SHBA-ve dhe vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesve të lartë në BE. Duhet të jemi të kujdesshëm në këto veprime mendoj se duhet të zgjedhjet një modalitet i përbashkët që mund të funksionoj në një fazë tranzitore deri në zgjedhje politike të mundshme në të ardhmen”, theksoi Ibishi.
Njohësi Ibishi për KosovaPress, konsideron se zgjidhja e situatës në këtë momentum duhet të bëhet në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.
“Mendoj se do të jetë një zgjedhje politike për një kohë të caktuar ngase realisht këto zgjedhje edhe pse kanë legalitet, por në aspektin e legjitimiteti dhe përfaqësimit të komuniteteve, nuk janë të përfaqësuar por pa fajin tonë në kuptimin e qeverisë dhe institucioneve tona, pasi që u shty njëherë dhe në rastin tjetër u përkrahën nga ndërkombëtarët, por tash po flasim për një momentum se si do të funksionalizohen kryetarët me vetë personelin, e tash ky modalitet duhet të shkoj në harmoni me ndërkombëtarët ngase vetë prezenca e shtuar e forcave policore po nxitë reagim nga komuniteti ndërkombëtar”, u shpreh njohësi i sigurisë.
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi paralajmëron eskalim tutje të situatës në katër komunat veriore, prandaj vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë mbarëvajtje të veprimeve.
“Po gjithsesi unë pres eskalim edhe mendoj për këtë arsye ne duhet ta bëjmë një mbarëvajtje të veprimeve tona pasi që kemi edhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë sidomos kur kemi të bëjmë me sigurinë e vendit kur kemi të bëjmë me rreziqet dhe kërcënimet e jashtme”, deklaroi Ibishi.
Ibishi ka kritikuar sjelljen e djeshme të raportueses për Kosovën, Viola Von Cramon, karshi policëve të Kosovës në veri gjatë qëndrimit të saj atje.
Sipas njohësit të sigurisë, Cramon ishte e pamatur dhe pyetje e saj karshi pjesëtarëve policor ishte provokative.
Cramon gjatë vizitës së saj dje në pjesën veriore, i kishte pyetur policët “Çka dreqi iu solli këtu”.
“Cramon e cila më duket e pamatur iu drejtohet policëve, policët kryejnë detyrat ligjore, nuk ka nevojë t’i urdhëroj as politikanët tani as një politikë e dikujt tjetër. Atyre duhet t’u thuhet se apo veproni në bazë të ligjit çka kërkoni ju këtu është një pyetje provaktive dhe e pavend ngase policët kryejnë shërbim në shërbim të qytetarëve kurdo që janë se si ata janë dhe si duke e në çfarë mase janë dispozitat ligjore që e caktojnë“, tha ai.
Qysh në orët e hershme të mëngjesit protestat pranë komunave veriore Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë duke vazhduar. E gjatë ditës së sotme janë shtuar edhe forcat e KFOR-it në pjesën veriore të vendit.
Gjatë ditës së sotme ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovnier është takuar me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe me atë të Zveçanit, Ilir Peci. Ndërsa, pas këtij takimi ambasadori amerikan zhvilloi takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.