-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

“Përpjekje për të hedhur baltë”, Gërvalla e sulmon Prokurorinë pse ia publikoi aktakuzën sot

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka reaguar në lidhje me aktakuzën ndaj saj për mosdeklarim të pasurisë.

Gërvalla, përmes një postimi në Facebook, tha se Prokuroria Themelore e Prishtinës me publikimin e kësaj aktakuze pas katër muajsh, po mundohet të hedhë baltë ndaj institucioneve të vendit.

“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie! Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Gërvalla tha se shpreson që gjykata të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët, sipas saj, dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë.

“Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pinë ujë. Që në fillim të marrjes së detyrës nuk kam pasur iluzione. Të gjithë e kemi ditur që ata, të cilët humbën jo vetëm zgjedhjet, por edhe mundësinë për të zhvatur edhe më tej shtetin dhe paranë publike, nuk do të zgjedhin mjete në betejën e tyre për të ndalur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, çdo ditë të punës ka qenë e ndërgjegjshme që duhet të jenë të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese.

“Prandaj ballëhapur dhe me duar të pastra vazhdojmë punën për përfaqësimin dinjitoz të vendit, rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve tanë, mbrojtjen e sovranitetit të Republikës, reformimin e institucioneve dhe vënien në vend të ligjshmërisë së shkelur në mënyrën më brutale për kaq vite me radhë”, ka përfunduar ajo.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img