-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Kosova së shpejti anëtarësohet në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Kosova së shpejti pritet të anëtarësohet në Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) me seli në Hagë të Holandës, pas miratimit të aplikimit nga shtetet anëtare të këtij komisioni, thotë Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Kosova bashkëpunon prej vitit 2003 me këtë organizatë ndërsa tani pritet që ky bashkëpunim të ngrihet në nivel tjetër.

Gara, në një intervistë për KosovaPress vlerëson se anëtarësimi është ndihmë e madhe për Kosovën në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Kosovës i mbetet të zhvillojë procedurat e brendshme, siç është miratimi i një ligji dhe dekretimi nga presidentja Vjosa Osmani, në mënyrë që vendi edhe zyrtarisht të konsiderohet si pjesë e kësaj organizate. Qeveria ka miratuar këtë projektligj derisa i njëjti pritet të marrë edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës.

“Tanimë projektligji i aprovuar nga Qeveria është në fazat e shqyrtimit dhe besoj se shumë shpejt do të finalizohet dhe pastaj të ndiqen hapat e nevojshëm. Me Komisionin Ndërkombëtar kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm edhe në procesin e identifikimit të të gjitha mbetjeve mortore përmes analizës shkencore. Pra, Komisioni Ndërkombëtar nga viti 2003 deri më sot është gjithmonë në mbështetje edhe të qytetarëve, por edhe të institucioneve të Kosovës përmes ofrimit të shërbimeve të ADN-së, për t’i identifikuar me metodë shkencore mbetjet mortore ose personat e zhdukur”, deklaron Gara për KosovaPress.

Gara thotë se aderimi i vendit në Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur përveç se do të intensifikojë këtë bashkëpunim, do të jetë edhe një mundësi për këmbim edhe të përvojave me shtete të tjera anëtare.

“Aderimi i Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar përveç se do të intensifikojë këtë bashkëpunim, sigurisht do të jetë edhe një mundësi për këmbim edhe të përvojave me shtete të tjera anëtare, por edhe një mundësi që Kosova, tanimë 24 vjet pas luftës ka krijuar një infrastrukturë të mirëfilltë institucionale. Angazhimi i Kosovës është gjithmonë në përpjekje që e para si prioritet të mësohet sa më parë fati dhe vendndodhja e personave të zhdukur, por sigurisht se do të jemi në mbështetje edhe të adresimit të rasteve të tjera të personave të zhdukur si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi. Duke pas parasysh që edhe në luftën në Bosnje dhe Kroaci kemi qytetarë të Kosovës të zhdukur si pasojë e rrethanave të luftës dhe pjesë e diskutimeve janë edhe këto raste”, thotë Gara.

Megjithatë, përfitimet nga anëtarësimi pritet të jenë edhe të tjera.

“Vet plani përmban pesë komponentë, duke filluar nga këmbimi i të dhënave, shqyrtimi i këmbimit edhe të përvojave dhe të dhënave në përpjekjen për identifikim të mbetjeve mortore të paidentifikuara dhe për të vazhduar me përpjekjen për të këmbyer informacione mbi qasjen e lokacioneve, që po quajnë me interes të përbashkët, si dhe përpjekje për përfshirje më aktive të familjarëve në proces dhe e fundit që është më shumë e natyrës simbolike e që është përpjekja për organizimin e homazheve ose nderimeve të përbashkëta”, tregon Gara.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Gara thotë se Kosova do të vijojë të luajë një rol aktiv në procesin rajonal për gjetjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, por edhe ato të mëparshme në ish-Jugosllavi.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndërkombëtare, por nuk është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Mandati i këtij komisioni është që të ofrojë bashkëpunimin e qeverive dhe të autoriteteve të tjera me synim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mbi 1600 persona rezultatojnë ende të zhdukur./KP/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img