Katër shtete amerikane po sfidojnë urdhrin e rishikuar ekzekutiv të Presidentit Donald Trump, që ndalon hyrjen e udhëtarëve nga gjashtë vende me shumicë myslimane.
Disa avokatë të shtetit ishull Havaji, ngritën padi në një gjykatë federale të kryeqytetit Honolulu, duke argumentuar se urdhri i ri do të dëmtonte myslimanët e këtij shteti, turizmin dhe studentët e huaj.
Ndërkohë, shteti i Uashingtonit i ka kërkuar një gjykatësi federal në Seattle të deklarojë se një vendim i mëparshëm gjykate që bllokon zbatimin e urdhrit të mëparshëm ekzekutiv vlen edhe për variantin e rishikuar të tij, njofton VoA.
Prokurori i përgjithshëm i këtij shteti, Bob Ferguson tha se në këtë përpjekje janë bashkuar edhe shtetet Oregon dhe Nju Jork.
Ferguson pranoi se urdhri i ri i zotit Trump ka veprim më të ngushtë se i pari. Por sipas tij, “Kjo nuk do të thotë se me këtë zgjidhen problemet e tij kushtetuese.”
Presidenti Trump nënshkroi të hënën një urdhër të ri ekzekutiv që ndalon për tre muaj qytetarët nga gjashtë vende – Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni – të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.
Ai dekreton gjithashtu pezullimin për katër muaj të programit amerikan për sistemimin e refugjatëve për katër muaj.
Lidhur me padinë e ngritur Hawaii, një gjykatës federal do të mbajë një seancë dëgjimi më 15 mars, një ditë para se ndalimi i ri të hyjë në fuqi.