Deputetët e Kuvendit të Kosovës tashmë kanë në duar raportin përfundimtar të Komisionit për matje të territorit, i votuar në Qeveri të premten e shkuar.
Derisa kryeministri pret që ky raport të arrijë t’i bindë Vetëvendosjen, AAK-në e Nismën, partitë opozitare thonë se nuk do t’ua ndryshojë mendjen një grup ekspertësh, shokë të kryeministrit, të cilët vetëm kanë harxhuar paratë e shtetit për të sjellë përfundimin që e do qeveria.
Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj Bujupi, thotë se çdo tentim i qeverisë për ta risjellë atë në Kuvend do të nxisë situatë tensionuese sikurse vitin e shkuar, raporton KTV.
Por, pavarësisht çfarë thotë opozita, qeveria ka paralajmëruar që marrëveshja me Malin e Zi për Demarkacionin shpejt do të jetë në Kuvend për ratifikim.
Të premten e javës që shkoi, qeveria ka miratuar raportin e Komisionit të ekspertëve për matje të territorit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk kishte marrë pjesë fare në votim, ndërsa kishte kërkuar konsensus të gjerë mes të gjitha partive politike.