-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Rrëfimi i Helena Kadaresë: Ismaili që nuk keni njohur!

E kam takuar disa herë përgjatë këtyre 3 viteve të fundit.

Sa herë që jam ndarë prej saj kam thënë me vete:- Sikur të gjithë ta njihnin Helenën. Sikur ta dinin se ç’mendon e ç’thotë ajo për jetën. Sikur ta dinin se vepra më e madhe e Ismail Kadaresë është bashkëshortja e tij.

Një supergrua që vetëm një gjeni mund ta meritonte. Me një sinqeritet çarmatosës, një thjeshtësi që të zë në befasi dhe t’i skuqesh pse e bëre atë pyetje. Helena të ul me këmbë në tokë.

Është një intervistë e gjatë (për këtë arsye kemi vendosur që ta publikojmë të ndarë në 2 pjesë, në 2 ditë rresht) që më pëlqen ta quaj një tjetër roman mbi jetën personale të Helena Kadare; raportit aspak të lehtë dhe njëherësh fantastik me shkrimtarin tonë të madh. Sepse ne gratë ankohemi gjatë gjithë kohës, kur e kemi dashurinë dhe kur se kemi atë, me të njëjtën forcë e pezm.

Tek Helena do bindeni që asnjë burrë qoftë ai edhe më i adhuruari i kohërave nuk është fat por durim, dhe përkushtimi e dashuria janë vuajtje. Është punë të duash përjetë një burrë. Jo me fjalë dhe mesazhe, ankesa, sherrnaja…

Helena nuk jep këshilla, nuk bërtet në asnjë mendim. Nuk ankohet për asgjë edhe pse e ka ëndërr të rrijë njëherë me shoqet në kafe pa i rënë zilja e telefonit nga Is:- Beka kur do kthehesh?

Në fund të intervistës do e kuptoni vetë se suksesi i një martese nuk bëhet nga lumturia por toleranca. Nuk bëhet nga pretendimet, kërkesat, por dedikimi pa e bërë të madhe sikur ç’po bën; Sidomos pa turinj të varur edhe në paç të drejtë!

Do kuptoni nëse është apo jo e lumtur ajo. Është në zgjedhjen tuaj, vërtet! Kur të lexoni Helenën do kuptoni nëse keni dashur me të vërtet  një burrë apo jo. Një martesë, një familje. Nëse keni dashur!

Nëse ka ardhur koha të pushoni nga gjithë ato pretendime të kota dhe t’ja nisni jetës me më qetësi. Ajo mi tha të gjitha në Paris! Kam një parandjenjë që Helena Kadare ka dhënë intervistën e jetës së saj. Lexim të këndshëm…

***

Mira Kazhani: Sa herë kam ardhur në Paris gjithmonë kam menduar se çfarë jeni duke bërë ju të dy, Ismaili dhe ju. Si është dita e Helenës këtu?

Helena Kadare: Është një ditë e zakonshme e mbushur më shumë angazhime. Kryesisht gjera që lidhen me Ismailin. Mëngjesi fillon, për secilin veç e veç, në leximin në internet të lajmeve që vijnë nga Shqipëria. Kam kujdes që, se paku, orët e para të ditës të kalojnë pa i komentuar ato, e sidomos gjatë ngrënies së mëngjesit. Një fjalë goje! I them Is: Le të hamë një mëngjes në qetësi dhe pa lajme… Kemi rënë dakord për këtë por në të vërtet nuk ndodh asnjëherë kështu. Sepse, siç e dini fort mirë edhe ju që vini prej andej, nuk ka ditë që të mos ndodhe diçka atje. Herë e mirë, herë e keqe, më së shumti kjo e fundit. Si të gjithë bashkëkombësit tanë, kudo që janë, duam që atje punët të shkojnë mbarë, që synimi i politikave të jetë çuarja e Shqipërisë në Europë, që ajo të bëhet një vend normal, që të ketë shtet ligjor, me pak sherre dhe mospajtime dhe që ky vendi ynë të hyjë, më në fund, në gjirin e Europës, të përparojë e të begatohet si gjithë vendet e tjera të kësaj zone të botës.

Mira Kazhani: Çfarë nuk ju pëlqen konkretisht? Një gjë qe ju trishton kur e dëgjoni nga Shqipëria?

Helena Kadare: Kam bindjen se shumica e shqiptarëve e duan me gjithë shpirt rikthimin e kombit tonë në Europë, pas 500 vjetësh të shkëputur nga otomanet dhe dyzetë vjet nga komunizmi. Mirëpo gjërat që ndodhin atje të prishin gjakun. Një pjesë e veprimeve të politikanëve tregojnë se jo të gjithë e duan një gjë të tillë.

Mira Kazhani: Po a ka figura në politikë që ju pëlqejnë ? Që i ndiqni me vëmendje dhe thoni: Po, ky po e bën punën e tij. Ky është një njeri-politikan i mirë për Shqipërinë.

Helena Kadare: Po sigurisht që ka. Ka të tillë, pa dyshim. Ka madje shumë djem dhe vajza të tjerë të talentuar, që nuk bëjnë pjesë në politikë, por që janë të zot për një punë të tille. Lidhur me këtë, po të tregoj një kuriozitet. Para ca ditëve mori në telefon një gazetar amerikan qe kërkonte një intervistë me Is. Dhe bëmë pak muhabet mbasi ai dinte ca frëngjisht. E dini ç’më tha? Në Amerikë shqiptarët e arsimuar që kanë ardhur këtu, bëjnë një përshtypje të jashtëzakonshme. Janë të dijshëm, shumë të zot, dinë rrjedhshëm nga tri gjuhë të huaja, që i përdorin pa problem, gjë që nuk është aq e lehtë për një amerikan. Shqiptarët e tillë janë shumë të mirëpritur në Amerikë. Unë vetë kam qenë në Shqipëri dhe jam mahnitur nga bukuria e këtij vendi. Dhe kam pyetur veten, përse ky vend me këto kapacitete njerëzore, me këtë natyrë e klimë të mrekullueshme, nuk arrin ta ngrejë kokën, ka përherë probleme, nuk ecën përpara, ashtu siç do të ishte dashur të ecte… Për të vijuar pyetjen tuaj. Po, i ndjek me vëmendje ngjarjet e vendit tim nëpërmjet shtypit, rubrikave televizive, kontakteve të shumta që kam në Shqipëri. S’do mend, entuziazmohem kur punët shkojnë mirë, kur shoh e dëgjoj djem dhe gra të mençura, që i kanë idetë të qarta, që përdorin logjiken dhe jo militantizmin e radhës, dhe sidomos që dinë të ruajnë etiken e të folurit. Ndoshta të duket si pa rendësi kjo e fundit, por më beso, tek njerëzit që jetojnë aty, që janë të lodhur nga sherret dhe demagogjia agresive, kjo mënyrë të foluri ka një efekt jashtëzakonisht negativ. I përmbahem mendimit se me urrejtje bëhen shumë gjera, akoma me shumë behën me dashuri. Nga miq e të njohur që kam atje, kuptoj se të gjithë e duan, e vlerësojnë dhe e presin këtë gjë. Ata për të cilët po flas, janë njerëz pa poste, janë intelektualë të mirëfilltë apo njerëz të thjeshtë, por që aspirojnë për një jetë normale, pa grindje dhe pa fyerje. Madje dëgjoj prej tyre që shpesh e mbyllin fare televizorin, aq e padurueshme iu bëhet gjuha e dhunshme që sundon atje. Është e mundur që politikanët tanë të mos ta kuptojnë një gjë të tillë? Që të bëjnë një përpjekje të përbashkët për t’u marrë vesh normalisht? Më ka rënë rasti të dëgjoj, në një darkë miqësore një grua, që s’ishte aspak budallaqe, madje dhe e bukur, do të shtoja, që këmbëngulte: Epo ashtu e do politika. Ndryshe nuk ia del dot ! Mbeta pa fjalë…

Mira Kazhani: Çfarë ju bën veçanërisht përshtypje atje?

Helena Kadare: Mira, unë iu përkas njerëzve pozitiviste dhe përgjithësisht kërkoj të gjej të mirën edhe atje ku nganjëherë ajo s’ekziston. Mundohem ta largoj nga mendja të keqen, por jo gjithnjë ia arrij. Ku ta dish, ndoshta ngaqë s’jam në politikë… Ndoshta në atë terren, optika e të parit është ndryshe. Ndaj më pëlqejnë ato vajza dhe ata djem të përgatitur, që kërkojnë t’u japin një drejtim pozitiv gjërave, siç më dëshpërojnë tipat negativiste, që me dashje, do të thoshja, shikojnë zi ngado, aspirojnë kaosin dhe, me sa duket, (madje shpesh është aq e dukshme) i ngazëllen kjo kahje negative e të parit të gjërave. Sot pashë ne lajme që u përurua një ujësjellës i ri për Tiranën, pastaj dikush tjetër që i kundërvihet Shteteve të Bashkuara, me një mllef të pazakontë. Se cilin nga këto lajme unë parapëlqej është e thjeshtë ta kuptosh. Atë që ndërton ujësjellësin, pa dyshim.

Mira Kazhani: Ambasadori amerikan Donald Lu ju duket simpatik apo edhe tip që po e tepron disi?

Helena Kadare: Çfarë pyetje! Po natyrisht jam katërciperisht dakord me vëmendjen që tregon Amerika ndaj nesh e që transmetohet nëpërmjet qëndrimeve të ambasadorit Lu. Madje e quaj fat të madh për vendin tim që ky ambasador, që përfaqëson një shtet aq të fuqishëm sa s’është Amerika, është i investuar kokë e këmbë në mbarëvajtjen e shqiptarëve. Palodhshmëria e tij në çështjen aq të debatuar të problemeve të drejtësisë, më prek sinqerisht. Ne, brezi ynë doja të thoshja, jemi rritur në komunizëm me urrejtjen ndaj Amerikës, ne e dëgjonim zërin e saj në radio kur kjo gjë ishte krejt e dënueshme në atë kohë. Ndaj them me vete, lavdi Zotit që erdhi kjo ditë që ky vend i madh të merret me punët tona. Lexoj nganjëherë komente njerëzish të pamend që thonë se Shqipëria është sa një pike ujë në vëmendjen e Amerikës dhe se në agjendën e saj e zë a nuk e zë të qindën e sekondës. Nuk e perceptoj kurrsesi kështu qëndrimin e Amerikës ndaj nesh. Të gjithë po e shohim qartas që është krejt e kundërta.

Mira Kazhani: Ju bën përshtypje që ka mësuar shqip për shembull? Që shumë mesazhe i bën në gjuhën shqipe?

Helena Kadare: Është diçka që e çmoj pa mase. Veç të tjerash, kjo tregon seriozitetin e këtij diplomati karriere, që u nis në këtë detyrë me shqipen e tij të gatshme për komunikim. S’është gjë e pakët, për një gjuhë aq të vështirë sa e jona, apo jo? Shqiptarët kanë mundësi ta dëgjojnë atë direkt, pa nevojën e përkthimeve nganjëherë aproksimative të palëve dhe e kuptojnë se ndërhyrjet e tij janë të dobishme për fatet e Shqipërisë, pa cënuar interesat e vendit të tij, natyrisht.

Mira kazhani: E keni takuar ndonjëherë?

Helena Kadare: Po.

Mira Kazhani: Dhe çfarë ju ka lenë më shumë mbresë?

Helena Kadare: Vetë angazhimi i tij total për ato gjëra që sapo folëm. Biseda kryesore me të, duke lëne mënjanë ato të familjes, fëmijëve etj., kanë qenë temat e së përditshmes shqiptare, ato tema që i njohim të gjithë… Ai e do vendin tonë, kjo është e qartë dhe e dukshme. Kaq me mjafton për ta dashur.

Mira Kazhani: Po në jetën publike në media ? Ka njerëz që ju pëlqejnë, që i ndiqni?

Helena Kadare: Dëgjo Mira, siç ju thashë më parë, nuk ka asnjë artikull, asnjë analize apo ngjarje që ndodh atje që të na shpëtojë pa e vënë re. Natyrisht ka shumë syresh që i dëgjoj me respekt dhe që më ndihmojnë të kuptoj realitetin e atyshëm. Sikurse ka edhe të tjerë që më vjen keq për ta tek i dëgjoj sesi përpëliten për t’i dredhuar problemit, për t’i bërë qejfin shefave të tyre. Ne jemi në Paris gjysmën e vitit, por në vijojmë të jetojmë me Tiranën… Ismaili i përjeton edhe me fort se unë… vetëkuptohet.

Mira Kazhani: Ku është ai në këtë çast që po flasim?

Helena Kadare: Ka shkuar në një kafene këtu afër ku bën ato orët e tij të zakonshme të punës. Jo, jo më në kafe Rostand sikurse hamendësojnë të gjithë ata, që kanë lexuar librin e tij “Mëngjese në kafe Rostand”. Shumë njerëz që kalojnë këndej nga Parisi, e kanë bërë zakon të kalojnë nga ajo kafe, me mendimin që t’i shtrëngojnë dorën autorit të tyre e të shkëmbejnë dy fjale me të. Një ndjesi e natyrshme dhe fisnike, do të thoja. Mbaj mend kur kemi qenë në fakultet, ne dilnim me shokët e kursit nga rruga ku do të kalonte Petro Marko, që sapo kishte botuar në atë kohë « Hasta la vista ». Te gjithë lexuesit në botë janë njësoj.

Mira Kazhani: Po ku është kjo kafeneja tjetër?

Helena Kadare: (qesh) Këtë s’mund ta them. Ndryshe atij do t’i duhej ta ndërpriste punën orë e çast. Ose të ndërronte përsëri kafenenë…

Mira Kazhani: Cila do të quhej një ditë e përkryer për ju?

Helena Kadare: Një ditë e bukur për mua do të ishte një e mërkurë (ditë që nxënësit e kolegjeve te Francës e kanë pushim). Ndodh shpesh që të mërkurave, së bashku me nipin tim, Adrianin, të shkojmë në ndonjë nga restorantet e panumërta japoneze që ka këtu përballë nesh, në rrugën e ngushte që mban emrin “Monsieur le Prince” dhe që ti e vizitove sot në mëngjes. Restorantet japoneze janë të vogla e të lira ndaj frekuentohen më së shumti nga studentët e Sorbones këtu pranë, në kohen që bëjnë pushimin e drekës. Adrianit i pëlqen kjo lloj kuzhine, mua gjithashtu. Por me shumë nga të gjitha unë i gëzohem bisedës që bej me këtë djalë të vogël dymbëdhjetë vjeçar, që është një lexues fantastik dhe i palodhur librash. Ndoshta nuk do ta besosh, por herë-here e harroj moshën e tij, për nga serioziteti dhe pjekuria e temave që flas me të. Për mua është thjesht një mrekulli çdo drekë e kaluar së bashku me të!

Helena Kadare dhe Adriani

Mira Kazhani: Po një ditë e keqe?

Helena Kadare: (qesh) Nuk ka ditë të keqe, Mira. Çdo ditë ka mundin e saj, siç thuhet. Gjithsesi një ditë jo e mirë është kur jam e detyruar të shkoj në ndonjë pritje apo aktivitet pak a shumë zyrtar. Le ta themi midis nesh: Nuk i duroj dot me takat e larta, të detyrueshme për këto raste. Nuk kam energji të shkoj te parukierja për flokët, të zgjedh veshjen e duhur për atje etj.,etj. Mezi pres të kthehem në shtëpi, të vërvis tutje këpucët e lodhshme, të vesh një rrobë të rehatshme dhe marr në duar librin e radhës që e kam lënë përgjysmë. Ose kur më pret ndonjë film që ia vlen në TV.

Mira Kazhani: Do të vazhdoni të jetoni Paris-Tiranë? Ku është me mirë?

Helena Kadare: Kësaj pyetjeje po i përgjigjem me fjalët e një mikut tonë që jeton këtu, ai gjithashtu: Franca është një parajse e trishtuar,(që në të vërtetë vetëm e trishtuar s’është dhe s’mund tëe jetë!) kurse Tirana një ferr i gëzueshëm.  Nëse do që ta dish tamam, unë personalisht veten e ndiej njëqind për qind të plotësuar kur jam në Tiranë. Aty kam mikeshat e mija, familjen time, njerëz të tjerë me të cilët kam mall e dëshirë të rri e të shkëmbej mendime duke folur shqip (ka rendësi edhe kjo), me një fjalë, siç thotë Naimi, “atje ku rroj me gaz e me shpresë, ku kam dëshirë të vdes”. Tani fëmijët tanë janë rritur dhe kanë angazhimet e tyre, kështu që është e padrejtë të kërkosh praninë e tyre orë e çast, siç do të kisha dashur. Gjë që natyrisht edhe s’mund të bëhet. Në Tiranë që të gjithë i ke në dispozicion kurdoherë, (flas për njerëzit që kanë të bëjnë me mua), me të cilët kaloj momente që më këndellin shpirtin. Atyre nuk ka nevojë t’iu shpjegosh se si e qysh ka ndodhur më parë, se si punët rrodhën me pas kështu e ashtu. Me ta të gjitha referencat i gjen aty ku i ke lënë dhe biseda vijon natyrshëm sikur e ke lënë në mes dje.

 

Mira Kazhani: Pse është e domosdoshme të rrini këtu?

Helena Kadare: Thjesht për arsye që lidhen me punën e Ismailit. Ai këtu ka shtëpinë e vet botuese “Fayard”, që merret me të gjitha problemet e tij, ka agjentin letrar edhe pse agjentin kryesor e ka ne agjensinë “Wylie” në New York. Janë ata që bëjnë kontratat për botimet dhe shpërndarjen e librave të tij nëpër botë. Por jeta këtu për mua ka filluar të jetë e lodhshme. Nuk ka dite të mos vijnë letra, email-e, ftesa, çmime, kërkesa për intervista, takime, zhurira, e plot gjëra të tjera të këtij lloji. Tani edhe Ismaili vetë ndihet i lodhur prej tyre. Ai quan punë të mirëfilltë vetëm ato faqe që ka caktuar të shkruaje në ditë me dorë dhe kaq. Për të tjerat nuk interesohet më si dikur. Kështu me bie mua detyra t’u përgjigjem me shkrim apo me telefon të gjithë kësaj ngarkese. Natyrisht më e lodhshmja është të gjej arsye dhe justifikime për ato “jo”-të e vazhdueshme të Ismailit, për çdo gjë që i kërkohet. Dhe të më besosh, nuk është ndonjë gjë e këndshme të thuash “jo” majtas e “jo” djathtas për gjithçka dhe, aq me tepër, në emër te tij. Të qenët negativ, kundërshtues, të lodh shumë më tepër nga të qenit aktiv edhe kur të duhet të besh mund dhe sakrifica. Ndaj do preferoja Tiranën. Atje do të gjendeshin njerëz të tjerë që ta bënin këtë punë rutinore shumë më mirë se sa unë. Botuesi i « Onufrit » i ka të gjitha strukturat për një angazhim të tillë dhe ai ka qenë përherë i gatshëm, madje shumë mirëkuptues, për ta ndihmuar në gjithçka që lidhet me veprën e Ismailit. Tani ka filluar punën aty vajza e tij, Enxhi, që është tepër aktive dhe çdo ditë me kompetente për punën e botimeve. E vetmja gjë, për të cilën më vjen vërtet keq tani, është mosdëshira e Is për të bërë udhëtime, gjë për të cilën unë nuk do të thosha kurrë jo. Sepse, siç dihet, shpirti ka më shumë nevojë për hapësirë sesa trupi.

 

Mira Kazhani: Cilat janë udhëtimet që kanë lënë mbresë në mendjen tuaj?

Helena Kadare: Do të veçoja dy. Udhëtimin tim të parë në Kosovë më 1981 dhe një udhëtim në Izrael ca kohë më parë. Po e nis me Kosovën. Në vitet 80 Kosova për të gjithë ne shqiptarët e Shqipërisë ishte një ëndërr e paprekshme. Kështu, kur më caktuan në grupin e shkrimtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve për një vizite në Kosovë, desh me ndali zemra nga lumturia. Delegacionin e kryesonte kryetari i Lidhjes, Dritero Agolli. Ne të bënin pjesë shkrimtarja Eglandina Mandia, Zija Cela, Shefqet Musaraj dhe unë. Në Prishtinë sapo ishte inauguruar Hotel Grand-i dhe gjithçka dukej e përsosur në sytë tanë. Asnjeri prej nesh nuk kishte parë një luks të tillë. Por ajo që na tronditi të gjithëve ishte dashuria e jashtëzakonshme e njerëzve. Për gati një jave udhëtuam nëpër Kosovë. Kudo që vinim ngjante si një festë. Edhe pse ishim të porositur, ne nuk e dinim se çdo hap i ynë ishte i survejuar, i kontrolluar. Me vonë kemi marrë vesh se ç’ndodhte atje me ata njerëz që na kontaktonin. Por kjo është një teme që kërkon një bisedë tjetër. Dua të veçoj këtu një mbrëmje në Pejë në hotelin Metohia. Poshtë në restorant ishte ndezur një oxhak i vjetër i stërmadh dhe në tryezën tonë vinin direkt nga furra pogaçe të porsa pjekura. Mendo se ç’përshtypje për ne që nuk i njihnim restorantet private. Tirana e asaj kohe kishte apo s’kishte nja tri-katër restorante sterile, natyrisht shtetërore… Po i kujtoj të gjitha këto sepse vitin e shkuar ishim me Is në Pejë për çmimin “Azem Shkreli”, që ai mori, dhe qëndruam në të njëjtin hotel si 38 vite të shkuara, por që tani quhej Hotel Dukagjini. Shumë vonë e kuptova që bëhej fjalë për të njëjtin hotel, kaq shumë kishte ndryshuar ai. Ishte bërë një ambient modern, por bashkë me modernizmin, atij i kishte ikur dhe gjithë magjia e hotelit tradicional që kish pasur, me atë kuzhinë aq të veçantë. Në vend të atyre pogaçeve të dikurshme tani kishte «pasta» të shumëllojshme, me emra të bukur italiane dhe shumë gjëra të tjera të reja, nga ato që gjenden në të gjitha restorantet e botës sot. Në vend të Azemit, ishte tani bija e tij, Aida, një vajzë e hijshme që kishte ardhur nga Kanadaja e largët, për të nderuar kujtimin e të atit. Ndër mend me erdhën ato rrugicat e ngushta të Pejës së dikurshme, plot dyqanxhinj të vegjël, që bashkë me Eglantinën i shikonim si të rëna nga qifti. Dhe ajo që na habiti të dyjave, ta merr mendja ç’ishte? Çamçakizët dhe çokollatat, që në Tiranën tonë të atyre viteve as që ekzistonin. Natyrisht vë buzën në gaz tani… Kur u ktheva në Tiranë shkrova me një frymë tregimin me titull « Medalioni nga Peja ». Ishte, ndoshta, me i pëlqyeri dhe i mirëprituri nga publiku. Bëhej fjalë për një mbajtëse metalike çelësash, që ma kishin dhuruar në Pejë. Pak a shumë fundi i tregimit ishte ky: Tani çdo herë që kthehem në shtëpi, me vajzën time të vogël për dore dhe nxjerr çelësin për të hapur derën ajo më pyet : Ç’është ajo gjë që ke në dorë? Një medalion nga Peja, i them.–Çfare është Peja ? me pyet ajo. Një qytet në Kosovë. Po Kosova s’është ? Atëherë unë nis dhe i tregoj asaj se ç’është Kosova. Këtu përfundonte dhe tregimi. Dhe domethënia e tij ishte e qartë për të gjithë.Kosova ishte një tabu për ne. Për atë s’flitej ose përmendej nën zë, si të ishe në faj. Mbaj mend që një mik i familjes sonë dhe i profesor Çabejt, që mblidhte këngët popullore çame, ishte futur në burg pse kishte shprehur mendime për bashkimin me Kosovën… Ndaj dhe ndjeshmëria për këtë temë ishte aq e nxehtë dhe drithëruese për të gjithë.

Mira Kazhani: Po udhëtimi tjetër, ai i Izraelit?

Helena Kadare: Ah, ai udhëtim është një dashuri më vete. E kam përherë në mendje të bej një tregim për të… Kemi qenë të ftuar së bashku me Ismailin. Për mua, Jerusalemi mbetet qyteti më interesant në botë për nga shumëllojshmëria e jetëve, për nga kultura dhe historia e tij biblike, si dhe për plot vlera të tjera. Të gjitha këto nën një qiell me dritë të bardhë verbuese, hyjnore, do të thosha. Një dritë që çuditërisht i ngjan dritës që jep qielli i Tiranës, e që për mua është i pakrahasueshëm me asgjë tjetër. Si një ngjarje të madhe në jetën time, dua te veçoj takimin me një zotëri të madh, Simon Perezin, në atë kohë President i Izraelit. Kisha lexuar më parë për të, më kishte bërë përshtypje të madhe një libër nga bisedat e tij me shkrimtarin francez Zhak Attali, për të ardhmen e botës dhe të vendit të tij në veçanti, por, t’i rrije përballë këtij monumenti të gjallë dhe ta dëgjoje tek fliste, ishte diçka krejt tjetër. Gjate gjithë kohës që zgjati audienca jonë kisha përshtypjen se ndodhesha në një zone të epërme të Botës në prani të të Urtëve të saj.

Mira Kazhani: Po diçka tjetër që ju tërheq këtu në Paris?

Helena Kadare: Është teatri. Siç e sheh, ne ndodhemi pranë Teatrit Europian të Odeonit. Si një e abonuar që jam në të, marr rregullisht axhendën e shfaqjeve sipas sezoneve. Kur të dalim nga kjo kafeja, eja po deshe të shikosh afishet e shfaqjeve të këtij muaji. Dua të shikosh afishen e dramës « Pamje nga ura » të Arthur Millerit. E kam për zemër në mënyrë të veçantë këtë shfaqje mbasi shumë vite më parë e kam parë në teatrin Kombëtar të Tiranës, me interpretimin brilant të aktorit Pirro Mani. Në atë kohë shfaqja ka bërë jehonë të madhe në rrethet intelektuale të Tiranës. Kam kuriozitet ta shoh përsëri tani, për të parë se si do të jetë përjetimi i saj pas kaq vitesh.

Mira Kazhani: Në librin tuaj të kujtimeve «Kohë e pamjaftueshme» keni një foto me këtë dramaturg të shquar amerikan. E njihnit nga afër?

Helena Kadare: Jo nuk e njihja. M’u dha rasti ta takoja në një takim të gjerë në një sallë të Parisit, ku ishte ftuar dhe Ismaili, në një panel të bërë nga shkrimtarë dhe gazetarë të shquar, mes të cilëve i ftuari i nderit ishte Arthur Milleri. Bisedën e drejtonte gazetarja e shquar Christine Okrent. Pas takimit darkuam së bashku me Millerin në një restorant të njohur aty afër. Ishte një darke e paharruar.

Mira Kazhani: Po shfaqja që pamë mbrëmë se bashku në “Place de la Republique” si ishte për ju?

Helena Kadare: Atje luante një vajzë me origjinë shqiptare me emrin Aphrodite de Loraine, me një fjalë, Afërdita shqip, por që ajo e ka stilizuar për nevojën e skenës. Ajo më dërgoi dy ftesa dhe unë të mora ty në vend të Is. Siç, e pe, ishte premiere e një komedie të Goldon-it « Les amoureux » që po luhej për herë të parë në teatrin Dejazet. Të them të drejtën unë nuk i kam shumë për zemër komeditë. Nuk di si t’u duk ty…

Mira Kazhani: Me çfarë të ardhurash jetoni ju? Mjaftojnë ato që merrni nga librat? Si jeton familja Kadare?

Helena Kadare: Familja Kadare jeton me të ardhurat e librave. Kuptohet, ne nuk kemi biznese apo fitime anësore. E di, është e vërtetë që nuk është e lehtë të jetosh me libra, vetëm katër a pesë shkrimtarë arrijnë ta bëjnë këtë. Këtu nuk e kam fjalën për autorët që shkruajnë bestsellerë e që shiten me miliona kopje. Ismaili bën atë letërsi që ben, që ju e njihni të gjithë e që quhet elitare.Ne jetojmë në një apartament me qira, në një zonë të bukur të Parisit, përballë kopështit të Luxemburgut. Shumë njerëz që vijnë e na vizitojnë habiten që ajo nuk është e jona, por me qira. Por të merremi vesh, me çmimin që ajo ka, as që mund të imagjinohet blerja. Atë e ka dhënë Akademia Moralo-Politike, ku Is bën pjesë, me një qira dy herë me të ulet, por që mbetet shumë e lartë gjithsesi. Po, mund të kishim blere një shtëpi me kredi, siç kanë bërë plot të tjerë, por ajo shtëpi duhej të ishte në periferi dhe jo këtu ku jemi…

Mira Kazhani: Po ju vetë a keni një pension? Dua të them të ardhura personale. Pavarësisht se ju punoni më shumë se kushdo për librat e Ismail Kadaresë. Ju keni një jetë që i shtypni ato ngaqë Kadare shkruan me dorë. Jeni ju përsëri redaktorja e parë e tyre. E ju keni punuar në shtëpinë botuese kur jetonit në Shqipëri. Apo jo?

Helena Kadare: Po, kam punuar dhe mund të them se kanë qenë vite që i kujtoj me mall. Tani marr një pension që vetëm vitin e fundit m’u akordua… Ndërkaq përkthej, por punën e përkthimit e bëj ngadalë sepse edhe koha që më mbetet është e paktë. Ja kështu. Ndaj i mbetet të them se shtëpinë e « mban » vetëm burri i shtëpisë, siç thoshin pleqtë e qëmotit.

Mira Kazhani: Në atë kohë udhëtonit edhe ju me Kadarenë në Francë?

Helena Kadare: Pas botimit të « Gjeneralit » me 1970 në Francë, Ismaili u botua menjëherë në pothuajse gjithë Europën. Kuptohet që botuesit dhe kritikët e artit e kërkonin ta shihnin për së gjalli këtë autor të ri që sapo kishte dalë. Dhe nga cili vend, aq më tepër! Mirëpo në atë kohë ishte i pamundur udhëtimi jashtë vendit për këdo. Vite më pas, kur vepra e tij filloi të përhapej me gjerë, shteti e lejoi të nisej. Siç e ka shpjeguar edhe ai vete hollësisht në librin e tij të fundit, udhëtimi në Francë ishte një rastësi e ardhur nga një keqkuptim. Ftesat, kuptoheshin, bëheshin bashke me gruan. Ato vinin në Ministrinë e Jashtme dhe prej andej mirrej përgjigja se Helena nuk mund të udhëtonte ngaqë ishte shtatzëne. Kur Is filloi të shkonte vetëm atje, një ditë botuesi dhe miku i tij, Claude Durand, i tha duke qeshur: Ismail, ju duhet që deri tani të kishit se paku nja 30 fëmijë! Po edhe në Tirane ka patur situata tragjikomike të këtij lloji, siç ishte rasti me aktorin, Michel Picoli. Pas nënshkrimit të kontratës për filmin e « Gjeneralit » ai erdhi bashkë me ekipin e filmit në Shqipëri, për të piketuar vendet e xhirimit. Ditën e fundit të qëndrimit atij iu anulua riardhja në Shqipëri. U dëshpërua shumë se, veç të tjerash, humbi shumë para që kishte investuar, duke angazhuar aktorë të kalibrit si Marcelo Mastrojani, Anuk Aimé, etj. ditët e xhirimit të tyre ishin të caktuara. Ishte operatori italian, Tovoli, që në nxitim e sipër, i gjeti disa vende xhirimi në Korsike, që i përshtateshin pak a shumë natyrës shqiptare. E kujtoj mirë kur u ftuam prej tyre në një darke në Hotel Dajti. Një urdhër i beftë ndryshoi rrjedhën dhe zyrtari shqiptar që i shoqëronte, ju tha se Kadare nuk ndodhej në Tiranë, ishte jashtë Shqipërie apo diçka e tille. Micheli kishte shqyer sytë: Po si është e mundur? Unë sapo u ndava para pak prej tij!! Ja kështu shkonin punët, moj Mira.

Mira Kazhani: Pse ju quan Beka ai?

Helena Kadare: Bebeka ka qenë emri im deri në moshën tre vjeç…

/TiranaPost/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img