Autoritetet serbe i kanë liruar të enjten tre serbë të Kosovës nga paraburgimi, të cilët janë ndaluar me dyshimin se kanë punuar “kundër rendit kushtetues të Serbisë” dhe kanë synuar “ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.
Ivan Niniq, avokati i njërit prej të ndaluarve, Dragan Nikoliqit nga Leposaviqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, klienti i tij është liruar, për shkak të mungesës së provave, ndonëse një javë më parë i është vazhduar paraburgimi për 30 ditë.
Leposaviqi është komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.
“Pesë dëshmitarët e parë erdhën, refuzuan të dëshmojnë, duke thënë se kishin frikë për sigurinë e tyre, pastaj u thirrën edhe katër dëshmitarë, një dëshmitar erdhi dhe tre jo. Prokurori ka konstatuar se nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar praninë e tyre, duke qenë se ata janë në territorin e Kosovës dhe Serbia nuk ka mekanizma që t’i detyrojë të vijnë”, ka thënë Niniq, duke theksuar se këta dëshmitarë janë identifikuar nga Policia e Serbisë.
Dragan Nikoliq, ish-polic i Kosovës, ka dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të serbëve në veri, nga institucionet e Kosovës.
Dragan Nikoliq dhe tre serbët tjerë nga Kosova janë arrestuar në muajin prill, teksa kanë qenë duke e kaluar pikën kufitare me Serbinë.
Avokati i Nikoliqit, Niniq, ka thënë se personi i katërt nuk është liruar, për shkak të “përfundimit të disa veprimeve dëshmuese”.
Ai e ka përsëritur dyshimin e tij se ky proces është “i inskenuar politikisht”, dhe se prokuroria nuk ka asnjë provë konkrete.
Niniq i ka thënë më parë REL se të gjithë dëshmitarët e kanë një të përbashkët: “Ata i marrin rrogat nga buxhetet komunale në veri të Kosovës”, pra janë nën “kontrollin e Listës Serbe”, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.
Autoritetet serbe nuk i kanë raportuar në media këto arrestime, por avokatët e të arrestuarve e kanë njoftuar opinionin për to.