-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Berisha e ndau dhomën me Haalandin, ylli kosovar flet për sensacionin e Man Cityt

Erling Haaland është sot njëri prej sulmuesve më të mirë në botë.

Futbollisti norvegjez po shkëlqen në fanellën e Manchester Cityt, me të cilin në muajin e ardhëm synon ta fitojë Ligën e Kampionëve, pasi paraprakisht e siguroi titullin e më të mirit në Premierligë.

Por, për të ardhur këtu, përfaqësuesi norvegjez u desh t’i kalonte disa etapa.

Shpërthimi i tij kishte nisur në Salzburg, ku bashkëlojtar e kishte futbollistin kosovar, Valon Berisha.

Madje, dyshja e ndanin një dhomë në kohën sa luanin në Austri pasi të dy i lidhte Norvegjia, ku kishin luajtur për të rinjtë e këtij shteti.

E në një intervistë për mediumin australian “Optus Sport”, përfaqësuesi kosovar ka folur për eksperiencën që e kishte me ish-futbollistin e Borussia Dortmundit, të cilin e përshkruan si një djalosh mjaft gazmor.

“Haaland është një djalë shakagji. Është paksa më ndryshe, e kupton? Por, është një djalë gazmor dhe e do jetën. Si unë, ai e do futbollin dhe e do jetën që e bën. Ai është asi personi që, nëse nuk është i lumtur dhe nëse nuk do diçka më, ai mund të heq dorë nga ajo gjë. Edhe unë jam i njëjti, derisa dua diçka siç e dua futbollin për momentin, do të vazhdoj ta shijoj. Do ta bëj këtë derisa të jem i uritur dhe derisa kjo më bën të lumtur. Kur të shkon kënaqësia, nuk do ta bëj këtë vetëm për faktin se fitoi shumë para apo diçka tjetër. Është një dashuri për lojën”, theksoi fillimisht futbollisti kosovar i lindur në Malmo të Suedisë.

“Erling nuk më ka befasuar me suksesin në Manchester City, sepse e kam parë se çka ka bërë çdo ditë, se çfarë profesionisti është, se çka ha, se si fle, se si kujdeset për trupin e tij. Ai e do këtë lojë, ju mund ta shihni këtë, ai e do këtë sport. Por, edhe në mënyrën se si është ai, e di se sa i mirë mund të bëhet. Tash ndoshta është në top formë, por ai nuk ngopet me kaq pasi synon të bëhet edhe më i mirë”, e përshkruan Berisha sulmuesin e Man Cityt.

“Natyrisht, për të tash është më e vështirë sepse pritet nga ai që të jetë në top-formë dhe të thyejë rekorde. Tash, shumë njerëz presin gjëra të çmendura nga ai, por në futboll ka rënie dhe ngritje. Ajo që e ka bërë ai, posaçërisht në sezonin e parë në Angli, është e pabesueshme, ai e ka ‘vrarë’ Premierligën, ligën më të fortë në botë. Kjo është e mahnitshme”, shton Berisha.

“Ishte e mrekullueshme ta shikoja dhe jam mjaft krenar me të. Shpresoj që ai do ta fitojë finalen e Ligës së Kampionëve sepse një gjë të tillë klubi i tij nuk ka qenë në gjendje ta bënte këtë. Shpresoj që ky djalosh të jetë ai që e çon klubin në krye”, përfundoi futbollisti kosovar.

Berisha aktualisht është pjesë e Melbourne Cityt në Australi, ku është i huazuar nga Reimsi i Francës, ndërsa më parë ka qenë pjesë e klubeve Egersund, Viking, Red Bull Salzburg, Lazio e Fortuna Dusseldorf.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img