5.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Ministrat e rajonit diskutojnë për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike

Në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, është mbajtur debati “Zhvillimi i një qasjeje të përbashkët për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor”.

Në mesin e panelistëve ishte ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, i cili gjatë fjalës së tij ka folur për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë aspekt, teksa tha se do të jetë sfidues kalimi në energji të ripërtëritshme nga prodhimi i energjisë me qymyr.

Aliu vlerësoi se bashkëpunimi rajonal, por edhe ai ndërkombëtar, është shumë i nevojshëm pasi “Kosova edhe ndikon, edhe ndikohet, nga ndryshimet klimatike”.

“Ky diskutim tregon që orientimi i vendit tonë, por edhe i rajonit, për nga brengosja për çështjet mjedisore është në rritje të vazhdueshme. Duhet ta kemi parasysh që jemi vend me kapacitete të limituara të ujit dhe se burim kryesor të energjisë e kemi prodhimin me qymyr. Jemi duke i reduktuar kapacitetet e qymyrit e duke i rritur kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme. Përkundër përpjekjeve, ne ende nuk kemi qasje në mekanizmat ndërkombëtarë që të marrim financa”.

Zgjidhja na mbetet projektet rajonale, e kjo është e domosdoshme, sepse nuk mund të luftojmë ndaras për një problem që është global. Nuk mund ta rrisim cilësinë e ajrit, pa u koordinuar së bashku. Duhet të kemi unitet shoqëror, por edhe unitet regjional. Kufijtë nuk kanë rëndësi në ndryshimet klimatike. Nuk mund të mos jemi në hartë, kur Kosova edhe ndikon, edhe ndikohet në ndryshimet klimatike”, ka thënë ministri Aliu.

Në anën tjetër, Kaja Shukova, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm për suksesin e të gjitha vendeve të rajonit.

“Ne si shtet jemi shumë mirënjohës për evente të tilla, ku mund të shkëmbejmë ca fjalë të cilat mund të na shpijnë në ide dhe bashkëpunime të reja. Mund të kemi sukses vetëm nëse punojmë bashkë. Disa ndotës të ajrit ndikojnë direkt në ngrohjen globale. Efektet e ndotjes se ajrit janë edhe te shëndeti dhe vdekja e parakohshme. Prandaj, duhet bashkëpunimi rajonal dhe global është i nevojshëm”.

Ajo tregoi edhe disa nga masat e fundit që Maqedonia e Veriut po implementon, teksa ua rekomandoi edhe vendeve të tjera të rajonit.

“Jemi duke punuar që t’i përmbushim përgjegjësitë tona në konventat internacionale. Ka edhe përpjekje që të modernizohet monitorimi i ndotjes së ajrit. Këtë e rekomandoj edhe për vendet e tjera të rajonit. Kemi tri qëllime kryesore, që ta ruajmë ajrin, t’i ulim emisionet e gazrave dhe ta ruajmë shëndetin e njerëzve tanë. Prandaj, kërkoj që bashkëpunimi mos të ndalet”.

Ndërsa, Mirela Kumbaro Furxhi, ministre e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, tha se vendet e rajonit nuk janë kontribuueset më të mëdha në ngrohjen globale, por janë shtetet e zhvilluara ekonomikisht, si ShBA-ja e Kina.

Megjithatë, edhe ajo njohu nevojën për ndryshime dhe përmirësime, sidomos për gjeneratat e ardhshme.

“Nuk besoj se vuajmë thjesht nga fakti se a e monitorojmë cilësinë e ajrit, por çfarë bëjmë për ta ruajtur atë. Nëse do t’i pyesnim qytetarët tanë se çdo të thotë ndryshime klimatike, edhe pse e kanë dëgjuar shumë, mendoj se nuk do ta dinin saktë. A është Shqipëria, apo Kosova, apo Maqedonia e Veriut, pra vendet e Ballkanit, a janë përgjegjësitë kryesorë për ndryshimet klimatike në nivel global. Nuk besoj, të paktën për Shqipërinë jo. Edhe vendi i vetëm në rajon që e krijon energjinë 100% nga ajo e ripërtëritshme, nga energjia hidroteknike”.

“Por, fakti qe ne nuk jemi faktorë për ndryshimet klimatike, për shkak se kemi qenë të izoluar, e se nuk e kemi industrinë e rëndë të zhvilluar, nuk do të thotë se nuk jemi viktimë e ndryshimeve, sepse na krijohen tërmete të paparashikuara dhe përmbytje. Brenda tri viteve, pajisjet që përdorin gazet serre do të hiqen.  Shteti do të marrë kosto shumë më të larta për këto masa. Është e rëndësishme që të marrim masa ligjore dhe financiare që të integrohemi me BE-në, por edhe ta ndryshojmë mentalitetin. Duhet ta bëjmë këtë për brezat e ardhshëm. Sot është përgjegjësia jonë që pas 50 vitesh situata të jetë ndryshe, për mirë apo për keq”.

Dunja Mazzocco Drvar, drejtoreshë e Aktiviteteve Klimatike të Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Republika e Kroacisë, tha se vendet e rajonit duhet të punojnë më shumë në prodhimin e energjisë solare, pasi e kanë këtë burim.

“Komunikimi dhe edukimi janë shumë të rëndësishme dhe duhet të merremi me këto dy gjëra në çdo hap. Duhet të punojmë më shumë në energjinë solare, sepse deri tani prodhimi i energjisë solare është shumë i varfër. Kemi edhe burime tjera, por në kalkulimet tona nuk mjaftohen. Duhet që edhe sektori privat të kontribuojë me fonde karshi atyre shtetërore apo edhe ndërkombëtare”.

Tutje, ajo përmendi edhe qëllimin e Evropës, për t’u bërë kontinenti i parë neutral sa i përket emetimit të gazrave, teksa tha se Kroacia është ambicioze të ndihmojë në këtë drejtim.

“Qëllimi është që Evropa dëshiron të bëhet kontinenti i parë neutral në emetimin e gazeve deri në vitin 2050 dhe Kroacia është ambicioze në këtë aspekt. Kalkulimet tona tregojnë se emetimet duhet të ulen 89%. Na duhet edhe teknologjia e duhur, prandaj po varemi edhe në zhvillimet që do të bëhen në të ardhmen.  Kroacia është në kufijtë e BE-së dhe kjo na jep edhe një përgjegjësi. Në vitet e fundit kemi pasur 2.8 bilionë euro nga dëmtimet, si pasojë e eventeve natyrore. Kjo e tregon më së miri edhe koston e ndryshimeve klimatike”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img