-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Kërkohet vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj Pjetër Shalës

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përmes një parashtrese, ka kërkuar nga trupi gjykues që Pjetër Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit, duke e konsideruar këtë masë si të nevojshme dhe proporcionale.

Sipas ZPS-së, asnjë fakt ose rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mundë ta ndryshojë këtë konstatim që kur trupi gjykues e ka vendosur atë në vendimin e dhjetë të paraburgimit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, në këtë parashtresë thuhet se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe rreziqet që i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurën ose do të kryejë krime të mëtejshme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar dëshmi për ZPS-në dhe/ose janë paraqitur/do të dalin së shpejti para DHSK-së mbeten të larta.

‘‘Fakti që i akuzuari ka ofruar prova inkriminuese në deklaratat e tij, duke konfirmuar dëshminë viva-voce të dëshmitarëve të ZPS-së dhe se këto deklarata tani janë në dispozicion të trupit gjykues për qëllimet e gjykimit të tij janë në vetvete një nxitje e mjaftueshme për të akuzuarin, nëse lirohet, të përpiqet të arratiset’’, thuhet në parashtresën e prokurorisë.

ZPS thotë se i Shala akuzohet për katër akuza për krime lufte dhe, nëse dënohet, mund të përballet me një dënim të gjatë e që edhe prezantimi i vazhdueshëm i provave të ZPS-së dhe njohja e plotë e të akuzuarit për çështjen kundër tij rrit rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve dhe së bashku me faktin se trupi gjykues tani mund të përdor deklaratat e mëparshme të të akuzuarit për qëllime të gjykimit të tij, sipas ZPS-së, kjo rivendos ekzistencën e rrezikut të arratisjes.

Ndryshe, gjykimi në rastin e Pjetër Shalës pritet të vazhdojë më 30 maj 2023.

Kurse, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj.

Ndërkaq, deri më tani në këtë rast janë anuluar seanca e 31 marsit, 5 majit dhe 19 majit.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img