Tani kur VisaMetric-ut i është ndaluar që t’ua marrë qytetarëve nga 30 euro për shërbimin e kthimit të pasaportës, ndaj këtij operatori është ushtruar edhe një tjetër padi.
Është bërë e ditur se avokati Flamur Abdullahu ka ushtruar edhe Padi Kolektive, në emër të interesit publik, që atij dhe qytetarët t’iu kthehen paratë që kanë paguar për këtë shërbim.
Por në çfarë faze ka arritur kjo padi?
Albënora Bekteshi – Hoti, zyrtare për informim në Gjykatën Komerciale, tha se padinë e kanë pranuar më 8 nëntor 2022 dhe me këtë lëndë menjëherë është ngarkuar një gjyqtar.
“Në referim të email-it tuaj, ju njoftoj se Gjykata Komerciale padin e ka pranuar më 08.11.2022, në po të njëjtën ditë me këtë lëndë është ngarkuar gjyqtari i Departamentit te Përgjithshëm të Dhomave të Shkallës së Parë”, tha Bekteshi-Hoti për Gazetën Express.
E njëjta theksoi se Gjykata rastin do ta trajtojë në kohën e duhur dhe se palët për mbajtjen e seancës do të njoftohen me kohë.
“Gjykata rastin do ta trajtoj në kohën e duhur, duke marrë për bazë trajtimin e lëndëve sipas kohës së dorëzimit të padisë dhe prioritetit ligjor, përkatësisht të gjitha lëndët e pranuara në Gjykatë do të vendosen bazuar në te lartshënuarat siç përcaktohet me Strategjinë për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, Efikasiteti dhe Prioritizimi i lëndëve brenda Sistemit Gjyqësor, po ashtu bazuar edhe respektimin e nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut në raport me të gjitha palët. Andaj, palët lidhur me orarin e mbajtjes së seancës gjyqësore do të njoftojen me kohë, e njëjta do të publikohet edhe në ueb portalin e Gjykatës Komerciale”, përfundoi ajo.
Gjykata Komerciale ia ka ndaluar VisaMetric që t’ua marrë qytetarëve nga 30 euro për shërbimin postar të dërgimit të pasaportës. Përfaqësuesit ligjorë të këtij operatori ekonomik kanë konfirmuar se do të respektohet vendimi në fjalë.