-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

LDK e AAK për ikjen e profesionistëve shëndetësorë: Të parandalohet, po rrezikohen klinikat

Profesionistë të lëmive të ndryshme po largohen nga Kosova. Pagat e kushtet e punës janë disa nga arsyet pse ata zgjedhin rrugën drejt perëndimit. Njësoj po ndodh edhe me profesionistët shëndetësorë, dukuri shqetësuese që po ndodh në vendin tonë.

Lidhur me ikjen e mjekëve, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, njëherësh anëtar i Komisionit për Shëndetësi, thotë për Gazeta Blic se situata është e keqe, derisa tregon arsyet pse ata po ikin nga Kosova.

“Realisht, kjo është një situatë e keqe për shëndetësinë. Arsyeja e ikjes është e ndryshme, kryesisht janë kushtet e punës, pastaj listojnë pagat e ulëta, pastaj papunësi dhe shkollimi joadekuat në specializim. Specialistët ikin për pagë më të mirë, për shkak se paga nuk është fort në nivel të duhur dhe kushtet e punës nuk janë si duhet. Mendoj se e njëjta gjë është edhe me infermierët”, thekson deputeti.

Dreshaj sugjeron që Ministria e Shëndetësisë të marrë hapa konkretë për të parandaluar këtë dukuri, dhe jo të bëhet shaka, që kur është nevoja mantelbardhët të shihen si heronj, e më pas të harrohen.“Që kjo punë të rregullohet, Ministria e Shëndetësisë duhet të marrë hapa konkretë në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, përmirësimit të infrastrukturës, pastaj kemi paga jo si duhet, të mos bëhet hajgare, ku deri më dje mjekët dhe infermierët mjekët dhe infermierët kanë qenë heronj gjatë pandemisë, ndërsa tani kur përfundoi pandemia i kemi harruar krejt”, thotë.

Sipas tij, qeveria deri më tash qeveri ka bërë shumë pak për këtë kategori.Ai shton se rreziku është permanent, ku për 3 muaj nga Kosova janë larguar 104 mjekë.

“Ky rrezik është permanent dhe kur e përmendim faktin se 104 mjekë e kanë lëshuar Kosovën në tre muajt e fundit, atëherë me të vërtetë duhet të mendojë kjo qeveri më ndryshe lidhur me krijimin e kushteve, që këta ta kryejnë punën e vetë për çka janë edukuar dhe të punojnë në vend”, deklaron deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Ndërsa, ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, njëherësh anëtar i kryesisë së LDK-së, thotë për Gazeta Blic se ka kohë që sistemi shëndetësor është në gjendje para kolapsi.

“Sistemi shëndetësor i Kosovës ka kohë që është në një gjendje para kolapsi. Ka mosbesim të madh ndaj sistemit jo vetëm nga pacientët, por edhe nga vetë profesionistët shëndetësorë, kjo e bën situatën edhe më të rëndë dhe më shqetësuese”, shprehet ai. Rugova vlerëson se zyrtarët që menaxhojnë shëndetësinë e Kosovës nuk dinë si ta menaxhojnë e të gjejnë zgjidhje.

“Zyrtarët kompetentë që menaxhojnë me shëndetësinë kosovare nuk e kanë prioritet normalizimin e gjendjes dhe as nuk kanë sens dhe ide menaxhimi se si të gjejnë zgjidhje racionale për parandalimin e ikjes së profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit”, potencon ai. Ish deputeti shqetësuese e sheh edhe çështjen e anesteziologëve, ku thotë se SHSKUK ka nevojë për dhjetëra të tillë, por që ata po e lëshojnë Kosovën dhe se me këtë trend, do të ketë vështirë të funksionimit të shumë reparteve e klinikave.

“Është tejet shqetësuese çështja e anesteziologëve. Aktualisht SHSKUK ka nevojë për dhjetëra anesteziologë, e keqja është se ata po e lëshojnë Kosovën, edhe sektori privat ka mungesa enorme të këtij profili specialistik. Ky trend i ikjes shumë shpejt do ta sjell në vështirësi serioze funksionimin e shumë reparteve dhe klinikave, veprimtaria e të cilave varet nga klinika e anesteziologjisë”, shton ai.

Rugova thotë se gjendja është më tepër se alarmuese dhe duhet shqetësuar të gjithë, pasi sistemi shëndetësor në profil specialistik është rrezikuar dhe se duhet ndërmarrë veprime konkrete parandaluese.

“Sistemi shëndetësor në sektorin publik në këtë profil specialistik vetëm se është rrezikuar. Ky trend nëse nuk parandalohet me veprime konkrete parandaluese, do ta vë në pikëpyetje funksionimin normal të shumë profileve specialistike në nivelin sekondar dhe terciar. Ky trend duhet të na shqetësojë të gjithëve. Është më tepër se alarm”, deklaron Naser Rugova.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img