Shëndetësia kosovare vazhdon të ballafaqohet me probleme të ndryshme. Mungesa e profesionistëve dhe e aparaturave ka shkaktuar vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike. Për shërbime të caktuara ka raste kur qytetarët presin nga viti 2018. Shoqata e Pacientëve kërkon më shumë transparencë.
Pacientët që kërkuan shërbime të caktuara në Klinikën e Ortopedisë 5 vjet më parë, ende janë duke pritur.
Me të njëjtin problem po përballen edhe të tjera klinika, ndonëse janë krijuar grupe punuese për revidimin e listave. Një nga arsyet është mungesa e stafit, materialit shpenzues apo aparaturave.
Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë, thotë se ka pak staf krahasuar me kërkesat e klinikave. Thotë se janë detyruar t’i shpeshtojnë edhe kujdestaritë.
“Jemi 45 anesteziolog dhe ky është numër i vogël që duhet të ndahet në 34 njësi brenda QKUK-së. Klinika e Ortopedisë ka më së shumti kërkesa dhe tash me objektin e ri kanë shtuar kapacitetet por ne nuk kemi shtuar numrin e anesteziologëve”, tha Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë