Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i angazhojë në Drejtorinë e Shëndetësisë mjekët e pensionuar.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka njoftuar se do t’i angazhojnë si këshilltarë mjekët që gëzojnë shëndet dhe kanë gatishmëri për të vazhduar kontributin e tyre për zhvillimin dhe avancimin e mjekësisë familjare në kryeqytet.
“Mjekët në pension të dobishëm për #kryeqytetin si këshilltarë në Drejtoria e Shëndetësisë. Duke marrë parasysh rëndësinë dhe mungesën e mjekut të familjes, sot me rastin e “Ditës Botërore të Mjekut të Familjes”, së bashku me Drejtorinë e Shëndetësisë kemi vendosur që të angazhojmë mjekët e pensionuar, të cilët gëzojnë shëndet dhe kanë gatishmëri për të vazhduar kontributin e tyre për zhvillimin dhe avancimin e mjekësisë familjare në kryeqytet”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai tutje ka thënë se nga sot ata do ndihmojnë Drejtorinë e Shëndetësisë për të krijuar një sistem më të mirë, më efikas me shërbime më cilësore për qytetarët e kryeqytetit.
“Ju faleminderit Florentina Batalli Sociologe, Dr. Sabahate Lleshi, Dr. Teuta Hoxha, Dr. Nexhmedin Hoti, Dr. Avdullah Hoti, Dr. Sadete Hadri si dhe Dr. Muhamet Petrova, që përsëri riktheheni në krye të detyrës, në ofrim të shërbimeve duke ndihmuar mjekësinë e kujdesit parësorë në kryeqytet!”.