Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci ka thënë se Komuna e Prishtinës i ka dhënë tenderë prej 8.5 milionë eurosh një kompanie, pronari i së cilës ishte i dënuar për mashtrim dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
Sipas Statovcit, bëhet fjalë për kompaninë e cila mori tenderin për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema” e njohur si “Rruga A” në Prishtinë, duke shtuar se Gjykata e Apelit ia kishte ndaluar që të marrë pjesë në prokurim publik, për një periudhë 10-vjeçare.
“Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere shpreha shqetësimin rreth zhvillimeve të fundit në OSHP lidhur me tenderin 8.5 milionësh, tender ky për rregullimin e Rrugës A në kryeqytet, rast i cili tashmë ka aktivizuar edhe Prokurorinë e shtetit. Shqetësimet implikojnë dhe OSHP-në në trajtimin e kësaj lënde”, ka shkruar Statovci në profilin e saj në Facebook.
“Kultura e zhvatjes së parasë publike, ikjes nga përgjegjësitë ligjore, favorizimi i kompanive të caktuara që kanë lidhje politike, ani pse zyrtarëve të tyre ju janë shqiptuar dënime dhe ndalesa 10 vjeçare në proces prokurimi, duhet të marrë fund në vendin tonë”, është shprehur ajo.
Mirëpo, kompania Sallahu thotë se deklarimet e deputetes Statovci janë akuza pa asnjë provë dhe krijojnë pasiguri dhe ambient të papërshtatshëm të të bërit biznes në Kosovë.
“Zonja Statovci në deklarimet në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere konstaton një gjendje duke u bazuar në një lajm/artikull i cili është shkruar vetëm në pretendime, duke bërë kështu deklarime pa vërteta – shpifje dhe kjo përbën vepër që ndiqet ligjërisht. Me këtë rast shprehim shqetësimin se si një deputete e Kuvendit te Republikës se Kosovës konstaton dënimin e pronarit të kompanisë dhe ndalesën e kompanisë për të marrë pjesë në procedura tenderuese pa asnjë provë”, thuhet në reagim.
Kompania Sallahu shton se tendenca e zyrtarëve shtetëror për të ndikuar në institucionet e drejtësisë cenon demokracinë në vend.
“Praktikat e tilla ku zyrtarët me përgjegjësi shtetërore deklarohen dhe akuzojnë pa asnjë prove bizneset, krijojnë pasiguri juridike dhe krijojnë një ambient të pa përshtatshme për të bërë biznes, njëherë ndikon edhe në investime nga investitorë serioz”, thekson Sallahu.
“Tendencat e zyrtarëve shtetëror, për të ndikuar në institucionet e drejtësisë dhe në institucionet e pavarura, ndikon në ushtrimin e funksionit të tyre në mënyrë të drejtë dhe të pavarur dhe cënon demokracinë në vend”, përfundon reagimi i kompanisë.