Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle për pak sa nuk u përballën me pasoja fatale teksa tentonin t’i largoheshin me automjet një paparaci.
Incidenti ka ndodhur të martën mbrëma ndërsa lajmin e ka dhënë zëdhënësi i Princit.
BBC raporton se incidenti ndodhi pasi Duka dhe Dukesha e Sussex-it morën pjesë në një ceremoni çmimesh në Nju Jork të martën.
Në një deklaratë, zëdhënësi i princit tha se “ndjekja e pamëshirshme” zgjati për më shumë se dy orë.
Sipas deklaratës zyrtare, dyshja për pak sa nuk u përplasën me drejtuesit e tjerë në rrugë, këmbësorët dhe oficerët e policisë.
“Ndërsa të qenit personazh publik vjen me një nivel interesimi nga publiku, ai kurrë nuk duhet të jetë me koston e sigurisë së askujt”, theksoi zëdhënësi.
Mediat raportojnë se paparacët iu vunë pas Harry-t dhe partneres së tij pasi ajo e djeshmja ishte dalja e tyre e parë që nga kurorëzimi i mbretit Charles në fillim të këtij muaji.
Kujtojmë se nëna e Harry-t, princeshë Diana humbi jetën në një skenar të ngjashëm. Më 31 gusht, 1997, Diana humbi jetën në tunelin Pont de l’Alma në Paris teksa shoferi i saj po tentonte që t’i shpëtonte një paparaci.
Përplasja rezultoi fatale edhe për Dodi Fayed që e shoqëronte në automjet dhe për shoferin Henri Paul, i cili ishte menaxheri për sigurinë në Hôtel Ritz Paris./A2CNN