17 maji shënon Ditën e Çlirimit të Jabllanicës së Dushkajës. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, në fjalën e tij tha se liria që e gëzojmë sot është falë luftës së lavdishme të trimave të UÇK-së.
“Për familjet e dëshmorve që pushojnë këtu, por edhe anembanë vendit, për luftëtarët, veteranët, invalidët dhe të gjithë ata që ndihmuan në lirinë e vendit tonë që ne të jetojmë në liri pas shume shekujve, këtë e mundësoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Haradinaj.
“Luftëtarët e Shqiponjës kanë qenë shumë të zotë. Secili prej tyre meriton që të tregohen zotësitë e tyre luftarake në luftë”, shtoi ai.
Haradinaj tha se ushtria serbe kanë ikur të turpëruar nga kjo betejë, duke i lënë aty të gjitha gjërat e tyre, edhe ato personale.
“Ndoshta nuk është rastësi që Jabllanica e feston Ditën e Çlirimit në maj. Pra Jabllanica është rrimarrë prej forcave serbe nga UÇK-ja, në këtë ditë dhe po në këtë kohë, ka qenë mesditë. Ushtrua serbe kanë shënuar një turp të madh, pasi që kanë ikur këmbë dhe i kanë lënë këtu të gjitha paisjet, edhe ato personale” tregoi Haradinaj.