5.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

I shkuan në zyre me shtatë kërkesa, çfarë përgjigje u dha Kurti kryetarëve të komunave

Kryeministri Albin Kurti më në fund ka gjetur kohë t’i takojë kryetarët e komunave. I shoqëruar edhe nga disa ministra, Kurti i ka pritur ata dje në Qeveri. Para Kurtit, kryekomunarët kanë parashtruar shtatë kërkesa. Se cilat ishin këto kërkesa dhe çfarë përgjigje u dha Kurti, për Gazetën Express ka folur Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Nën udhëheqjen e Agim Aliut, kryetarët e komunave e kanë marrë rrugën dje drejt objektit të Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti. Takimin e kishin kërkuar para më shumë se dy javësh, por që u realizua tek dje.

Para Kurtit, ata u paraqitën me shtatë kërkesa. Një prej tyre ishte më urgjente, zhbllokimi i mjeteve vetanake të komunave nga vitet paraprake, që kapin vlerën 37.5 milionë euro.

Drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se për këtë kërkesë, Kurti u ka kërkuar atyre që të adresojnë një kërkesë te niveli qendror, e cila është adresuar sot.

Ibrahimi ka deklaruar se një kërkesë të tillë e kanë bërë edhe para se t’ua kërkonte Kurti, por asnjëherë s’kanë marrë përgjigje.

“Kryetarët kanë argumentuar se këto janë mjete vetanake dhe që duhet të barten në buxhetet e komunave sepse janë paraparë që të zbatohen shumë projekte kapitale, me qindra projekte të tilla dhe neve na është kërkuar nga niveli qendror që ta adresojmë një kërkesë, pastaj niveli qendror të fillojë të ndërmarrë hapa sa i përket kësaj çështje. Ne e kemi deponuar një kërkesë të tillë edhe më herët, por siç duket sikurse herave tjera, ka hasur në veshë të shurdhër”, ka deklaruar Ibrahimi.

Gazeta Express e ka siguruar këtë kërkesë, përmes së cilës është kërkuar që urgjentisht të ndryshohet Ligji mbi Ndarjet Buxhetore, meqë komunat s’po arrijnë që t’i shpenzojnë rreth 37.5 milionë euro si pasojë e mos plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji.

Nëse kjo kërkesë s’zbatohet, komunat kanë paralajmëruar se me qindra projekte nëpër Komuna e të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe nuk do të zbatohen edhe do të mbesin peng.

“Dje kryetarët e komunave s’kanë shkuar aty me diskutu, sepse ne i kemi diskutuar këto tema më herët. Kanë shkuar me kërku zgjidhje të problemit dhe këto tema që janë ngritur nga kryetarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë, urgjente. Nëse merret vendimi në shtator apo tetor që të barten këto 37.5 milionë euro, atëherë komunat qysh me i shpenzu këto mjete financiare? Duhen procedurat e tenderimit dhe ato marrin kohë, vjen dimri dhe përsëri nuk mund të shpenzohen dhe përsëri duhet me kërku bartje. Këto janë kërkesa urgjente të kryetarëve të komunave me të cilat Qeveria duhet të veprojë shumë shpejt”, ka thënë Ibrahimi, duke e komentuar këtë kërkesë.

Kërkesa tjetër që kanë parashtruar kryetarët e komunave dje ka të bëjë me tatimin në pronë, saktësisht faljen e tatimit në pronë deri në vlerë 100 euro.

Ata i kanë kërkuar Kurtit që Qeveria ta mbulojë zbrazëtirën buxhetore që do të krijohet te niveli komunal, nëse do të falet tatimi si dhe që vendimi për falje të merret nga niveli qendror e të mos iu lihet në dorë komunave, sepse ua cenon të hyrat vetanake.

“Mirëpo, sa i përket faljes që po premtohet nga niveli qendror, duhet të diskutohet sepse në qoftë se bahet falja, këtë çështjen e zbrazëtirës buxhetore që do të shkaktohet në nivel komunal, kush duhet ta kompensojë dhe kryetarët kërkojnë që niveli qendror duhet ta kompensojë këtë diferencë. Në takimin e këshillit të kryetarëve, kryetarët kanë kërkuar që niveli qendror të marrë vendim sa i përket faljes, e të mos ia lëjë kompetencë nivelit lokal, por gjithashtu duke u përcjellur me mjete buxhetore nga niveli qendror sa i përket mbulimit të kësaj diference”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se kryetarët e komunave po presin nga komisionet parlamentare që të ftohen për diskutim, meqë kur projektligji është hartuar s’janë konsultuar fare.

“Çështja është që ky draft që s’ka qenë fare i konsultuar me komuna, ka kaluar në parlament d.m.th niveli qendror, përkatësisht Ministria e Financave ka marrë vendim në mënyrë arbitrare që ta dërgojë në Kuvend, pa u konsultuar fare me komuna dhe ne presim që tash parlamenti ta diskutojë këtë dokument me kryetarët e komunave”.

Ibrahimi ka thënë se është i vetëdijshëm se kryeministri Kurti nuk mund të merret me të gjitha problemet e nivelit komunal, por se për këtë janë ministrat.

Ai ka thënë se shpreson që të mos kenë eksperienca të tilla me nivelin qendror në të ardhmen dhe se kjo ka qenë edhe arsye pse kanë kërkuar këtë takim me kryeministrin.

“Po shpresojmë që eksperienca të tilla të mos ndodhin në të ardhmen dhe për këtë arsye kemi kërkuar që të takohemi me kryeministrin dhe t’i japim zgjidhje. Unë jam i vetëdijshëm që kryeministri Kurti nuk mund të jetë i angazhuar për secilin problem, por i ka ministrat që duhet të merren dhe ata ministra kanë qenë aty. Çështja e pronave komunale, çështja e zhvillimit ekonomik, çështja e listave sa i përket listës rezervë të punësimit në sektorin e arsimit, unë jam i vetëdijshëm që kryeministri s’mundet të merret me gjithë këto tema, por janë ministrat e digastereve të ndryshme”, ka deklaruar Ibrahimi.

Kërkesat e tjera që u parashtrua në këtë takim ishin edhe:- themelimi i Grantit të IV; -përshpejtimi i nxjerrjes së akteve nënligjore që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna me theks lejimin  e listës pritëse në arsim dhe shëndetësi; -kthimi i pronave nga AKP’ja, krijimi i mekanizmave ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale, si dhe që Zonat Ekonomike të vazhdojnë të administrohen nga komunat e jo të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img