Drita e ka lëshuar nga duart titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll.
“Intelektualët” nuk arritën më shumë se një barazim 1:1 në derbin lokal ndaj Gjilanit, duke mbetur tani dy pikë prapa Ballkanit në renditje.
Rron Broja kaloi Dritën në epërsi në minutën e 32-të, por Mevlan Zeka barazoi nga penalltia në të 82-tën.
E këtë gabim të Dritës e shfrytëzoi Ballkani, që fitoi minimalisht 1:0 në shtëpi ndaj Llapit.
Albion Rrahmani shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 31-të, e që në fund mund t’ia sjellë titullin suharekasve.
Fitore tejet të rëndësishme sot arriti edhe Ferizaj që e mposhti 1:0 rivalin direkt për mbijetesë, Trepçën’89.
Ishte Albin Krasniqi që shënoi golin e vetëm dhe të fitores për ferizajasit në minutën e 54-të.
Prishtina ka bërë hap prapa në luftën e tyre për pozitën e tretë në tabelë.
Kryeqytetasit barazuan 1:1 në udhëtim me Malishevën.
Mërgim Pefqeli kaloi Prishtinën në epërsi në minutën e 61-të, para se Tolaj të barazonte shifrat në të 79-tën.
Fitore të lehtë realizoi sot Dukagjini, që në udhëtim e mposhti Drenicën që edhe matematikisht i ka humbur shpresat për mbijetesë.
Marclei Santos shënoi dy herë dhe Merlaku e Elezaj nga një për mysafirët.
Golin e nderit për vendasit e realizoi Gentian Imeri.
Pas 34 ndeshjeve, Ballkani prin në tabelë me 69 pikë, dy më shumë se Drita, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të sezonit.
Gjilani është i treti me 52 pikë, i ndjekur nga Dukagjini me 47, Prishtina 45 e Llapi me 42 në pozitat pasuese.
Malisheva është e shtata me 40 pikë, kurse Ferizaj tani del në vendin e tetë me 38 pikë, një më shumë se Trepça’89 që është e parafundit.
Krejt në fund gjendet Drenica me 23 pikë të tubuara.