-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Diaspora dhe komuniteti serb sfidë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë

Sfidë për procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që do të organizohet nga shtatori i këtij viti, do të jetë regjistrimi i komunitetit serb dhe përfshirja e diasporës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, i cili do të organizohet nga 1 shtatori deri më 16 tetor të këtij viti.

Drejtori i Departamentit për Statistika Sociale dhe të Popullsisë, Avni Kastrati, bëri të ditur se janë finalizuar formularët me pyetjet e regjistrimit, ndërsa foli edhe për përgatitjet e tjera.

“Është zhvilluar aplikacioni, është zhvilluar një pilot i gjerë dhe dy testime. Në përgjithësi ato gjerat e nevojshme paraprake kanë përfunduar pjesa dërmuese e tyre”, tha ai.

Por, për procesin e regjistrimit të popullsisë, mbetet sfidë regjistrimi i komunitetit serb, tha Kastrati, ndërsa theksoi se kanë pasur një fushatë sensibilizuese duke vizituar të gjitha komunat edhe ato në veri të vendit.

“Ne besojmë se është në interes të të gjithë atyre që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë. Edhe në fushatën tjetër që do të pasojë në muajt në vijim, ne do t’i informojmë të gjitha komunitetet. Në aspektin e legjislacionit, nëse duhet penalizuar apo ndëshkuar dikë që nuk merr pjesë në regjistrim është sipas ligjit, por kur është një komunitet i tërë, është sfidë. Kemi një eksperiencë nga viti 2011, sidoqoftë ASK-ja dhe institucionet qeveritare do të krijojnë të gjitha kushtet e nevojshme për të marrë pjesë në regjistrim të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, theksoi Kastrati.

Kastrati tha se një nga sfidat e procesit është edhe përfshirja e diasporës, derisa bëri të ditur se janë përpjekur që të mbulojnë edhe këtë pjesë në regjistrim.

“Ne kemi menduar që të përfshihet edhe diaspora, ndërsa jemi në diskutim për fazën e përfshirjes së tyre. Një metodë është grumbullimi i të dhënave përmes të të afërmve të tyre këtu në Kosovë dhe tjetra është përmes një aplikacioni online, për ata që nuk kanë të afërm në Kosovë”, tha ai.

Ndërkohë, profesoresha e Demografisë, Mimoza Dushi, tha se përfshirja e diasporës në regjistrimin e popullsisë mund të bëhet, por nuk hyn në numrin e popullsisë së përhershme.

“Kjo është ndryshuar pasi proceset demografike nuk ndalen. Por, shtetet duhet të krijojnë politika për të mbajtur mirëqenien e popullsisë ekzistuese. Prandaj, regjistrimi është ai që iu tregon qeverive se cilat janë nevojat e popullsisë. Sot nuk ka politika që i ndryshojnë trendet e popullsisë, prandaj kërkohet vetëm mirëqenie për popullsinë ekzistuese. Unë nuk jam pajtuar në vitin 2011, për shkak se sipas të dhënave e kanë zvogëluar popullsinë e Kosovës për 18.5 për qind në numër. Përveç ndryshimit të metodologjisë, mendoj se ka pasur shumë gabime. Sot duhet të ketë një bashkëpunim shumë t ngushtë ndërmjet ASK-së dhe institucioneve qeveritare, pasi duhet të përkrahet si proces. Të njoftohet popullsia për rëndësinë e regjistrimit, në mënyrë që rezultatet të kenë shkallë të madhe të besueshmërisë”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, do të realizohet në periudhën kohore, nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.

Ndërkohë, regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë, pasi kishin refuzuar procesin.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img