Një raport i ri, i publikuar së fundmi, ka zbuluar torturat dhe tmerret e Putinit dhe ushtrisë së tij në Ukrainë. Të djegur me hekura të nxehtë, të mbytur me maska kundër gazit, të rrahur aq keq sa pësuan atak në zemër dhe të detyruar të shtriheshin në gjakun e një shoku të qelisë të ekzekutuar.
Këto mund të tingëllojnë si skena nga një film horror, por në fakt, ato janë fatet e vërteta që kanë pësuar ukrainasit e mbajtur të burgosur nga trupat ruse në zonat e pushtuara. Deri më tani në Ukrainë numërohen plot 725 raste torturës, keqtrajtimit, ekzekutimit dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut të dokumentuara nga “Dignity”, një grup danez kundër torturës.
Por, cila janë gjetjet e raportit më të fundit të bërë pulbik nga ky grup?
Në një rast, një i burgosur dhe veteran i forcave të armatosura tregoi se si u torturua aq keq sa kërkoi vdekjen, por u mbajt gjallë nga torturuesit e tij, të cilët mburreshin, duke i thënë: “Nuk i keni parë ende shtatë rrathët e Ferrit!”
Në një tjetër, një e paraburgosur kujton se ishte detyruar të dëgjonte një ushtare ukrainase, e cila u përdhunua për tre ditë rresht përpara se të tërhiqej zvarrë dhe zëri i saj të mos dëgjohej më.
Për raportin e tij, “Dignity” intervistoi 121 viktima të abuzimit rus, duke u fokusuar kryesisht në qendrat zyrtare të paraburgimit si burgjet dhe stacionet e policisë, por edhe qendrat jozyrtare të paraburgimit si bodrumet e shkollave, shtëpitë dhe ndërtesat qeveritare.
Ata zbuluan se përdorimi i torturës nga forcat ruse ishte një çështje rutinë, e përdorur kundër anëtarëve të ushtrisë, policisë ose zyrtarëve qeveritarë për t’i detyruar ata të bashkëpunojnë ose si hakmarrje, dhe kundër civilëve për t’i frikësuar ose për t’u nxjerrë ndonjë informacion.
Në një nga rastet më ekstreme, një burrë që shërbeu si vullnetar ushtarak në Mariupol para se të kapej, tregoi se si rusët e rrëmbyen atë nga qelia e burgut dhe e mbajtën për pesë muaj, gjatë të cilave ai u torturua.
Burri kujtoi se ishte lidhur, ia kishin zënë gojën, e kishin rrahur, e kishin mbytur me tela elektrik derisa humbi vetëdijen, e më pas e zhytën në ujë për ta zgjuar vetëm që mundimi të mund të fillonte përsëri.