-0.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

SHBA, e prerë: Asnjë qeveri në Bosnjë nuk duhet ta zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë

Asnjë qeveri, në asnjë nivel, nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë përderisa ajo vazhdon agresionin ndaj Ukrainës.

Kështu ka komentuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnjë e Hercegovinë, paralajmërimin për forcimin e lidhjeve të Rusisë me Republikën Sërpska, e cila është njëra nga dy entitetet e Bosnjë e Hercegovinës.

Ky koment i Ambasadës Amerikane në Bosnjë e Hercegovinë është bërë më 12 maj, pas pyetjes që Radio Evropa e Lirë ia ka drejtuar lidhur me paralajmërimin e zyrtarëve rus për forcimin e lidhjeve të Rusisë dhe Republikës Sërpska,

“Lufta brutale dhe me asgjë e provokuar e Rusisë kundër Ukrainës ka theksuar nevojën urgjente që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kryejnë reforma demokratike dhe reforma të tjera të nevojshme për procesin e integrimit në institucionet euroatlantike”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane në Bosnjë e Hercegovinë, lidhur me kërkesën e Radios Evropa e Lirë që të komentojë deklaratën e zëdhënësit të Kremlit, Dmitry Peskov.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës, përderisa ata ndërtojnë një të ardhme më të begatë dhe më të sigurt në komunitetin euroatlantik të kombeve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, do të shkojë në Moskë gjatë këtij muaji, për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

Çka deklaroi Peskov?

Dimitri Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, në një intervistë për Televizionin Alternativ nga Banja Lluka, i afërt me Dodikun, theksoi pritjet e Moskës se Serbia dhe Republika Sërpska nuk do t’i “dorëzohen presionit perëndimor” për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Peskov tha se Beogradi, aktualisht është nën presion shumë më të madh nga Perëndimi, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, sesa autoritetet e Republikës Sërpska, të cilat po bllokojnë vendosjen e këtyre sanksioneve nga ana e Bosnjë e Hercegovinës.

Peskov theksoi se, kur bëhet fjalë për Republikën Sërpska, Rusia “ niset nga fakti se këto marrëdhënie do të vazhdojnë të zhvillohen dhe se ato vetëm sa do të forcohen në të gjitha fushat”.

Intervista për këtë televizion, i cili është nën sanksionet amerikane, është regjistruar në Moskë, ndërkaq prezantuesja e ka realizuar në gjuhën ruse. Intervista u transmetuar mbrëmjen e 10 majit.

Në janar të vitit 2022, Departamenti amerikan i Thesarit e vendosi Millorad Dodikun në listën e sanksioneve për shkak të aktiviteteve me korrupsion, përpjekjeve për të shkelur Marrëveshjen e Dejtonit dhe rrezikimit të stabilitetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe të gjithë rajonit.

Siç u njoftua, sanksione u vendosën edhe ndaj Televizionit Alternativ nga Banja Lluka për shkak të lidhjes së tij me Dodikun, lider i Partisë së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), parti kjo udhëheqëse në Republikën Sërpska.

Në një intervistë tjetër, të transmetuar në Radiotelevizionin e Republikës Sërpska, në të njëjtën ditë kur intervista me Peskov u publikua në ATV, Millorad Dodik njoftoi se do të takohet me Putinin në Moskë, më 23 maj, me të cilin ka biseduar edhe në shtator të vitit të kaluar.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img