Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike.
Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.
Një rast i tillë është zbuluar dje në Qendrën Korrektuese në Dubravë, pasi një grua që kishte dërguar disa gjëra për djalin e saj i cili vuan dënimin me burgim në këtë qendër, u kap në flagrancë me sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se oficerët korrektues pasi kanë vërejtur se mund të ketë diçka të kundërligjshme, kanë bërë një kontroll të detajuar ku në atletet e të burgosurit janë gjetur rreth 20 toptha me marihuanë.
E dyshuara është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ku ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ajo të hetohet në liri për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.