Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka treguar se raporti i Parlamentit Evropian tashmë e ka konfirmuar se Serbia është e lidhur ngushtë me akterët paramilitarë të Rusisë.
Sipas drejtorit të Institutit “Octopus”, rusët janë ata që i përcjellin krizat derisa shkëndijat e tyre nxiten nga serbët.
“Më vjen mirë që Parlamenti Evropian ka thënë me raport zyrtar se Serbia është e lidhur ngushtë me Rusinë dhe akterë të tjerë rusë paramilitarë. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi në Institutin ‘Octopus’, besoj se jemi të parët që kemi folur për prezencën e njerëzve të këtij grupi paramilitar edhe në Kosovë, sidomos në kohën e tensioneve të nëntor-dhjetorit 2022, kur ishin prezentë shumë elementë rusë”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.
Ai shton se evidentimi i kësaj nga PE-ja është shpresë se Evropa këndellet kundrejt provokimeve nga Rusia e Serbia.
“Rusët i përcjellin krizat dhe shkojnë pas tyre! Do të thotë, nëse xixat e krizave shkaktohen nga serbët, benzina iu hedhet prej rusëve! Prandaj, evidentimi i kësaj nga Parlamenti Evropian, është shpresë se Evropa këndellet herët a vonë”, ka pohuar ai.
Parlamenti Evropian në raportin e fundit për Kosovën kërkon që të hetohet prania e mundshme të grupit paramilitar Wagner në veri të vendit.
“Kërkohet nga autoritetet kosovare që të hetojnë praninë e pretenduar të mercenarëve rusë të Grupit Wagner në veri të Kosovës dhe shpreh shqetësime serioze në këtë drejtim për grafitin rus të Wagnerit që është shfaqur në hapësira publike në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Zveçanit”, theksohet në raportin e PE-së.