Emisari i BE’së, Miroslav Lajçak, sot në Prishtinë tha se pjesë e diskutimit të tij në takimin me kryeministrin Kurti ishte edhe hartimi i statutit për Asociacionin.
Ai ka thënë se Kurti e kupton se çfarë pret nga BE kur është fjala për draftimin e statutit.
“Kam biseduar në detaje me kryeministrin se si e sheh Bashkimi Europian procesin e hartimit të statutit dhe mendoj se ne kemi pasë një mirëkuptim për këtë proces”.
Ai u pyet edhe nëse modeli kroat për Asociacionin, mbi të cilin Kurti e ka bazuar draft-vizionin e tij që e prezantoi në Bruksel, është i pranueshëm për BE-në.
Në përgjigje, Lajçak tha se BE e pranon atë që është e bazuar në vlera dhe norma europiane.
“Ajo që është e pranueshme për BE’në është ajo që bazohet në normat europiane dhe vlerat europiane dhe që është në pajtim me modelit ekzistuese europiane. Këtë e kemi thënë nga fillimi dhe nuk do të them më shumë rreth kësaj”, ka thënë ai.
Po ashtu, pas pyetjes së gazetarëve rreth drafteve të kundërta të prezantuara nga Ekipi Menaxhues që Kryeministri Kurti e barazoi me “Republika Srpska” dhe vizionit të bazuar në modelin kroat, Lajçak tha se do të gjendet një mes.
“Lehtësuesit janë për të gjetur një mes dhe këtë saktësisht do të bëjmë këtë”, theksoi Lajçak.
Gjithashtu, ai tregoi se do të ketë një takim në Bruksel Bislimi-Petkoviq, derisa pas Prishtinës ai shkoi edhe në veri të vendit për të kuptuar situatën atje./PrishtinaPress/