Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mirëpritur në zyren e tij, përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak.
I pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se Lajçakut i ka theksuar nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi.
Ndër të tjerash, kryeministri Kurti gjithashtu theksoi që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes së Ohrit.
Postimi i plotë i tij:
“Mirëpritëm Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) në zyrat tona të qeverisë sot. Theksova nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje.”
Lajçak po qëndron për vizitë zyrtare sot në Prishtinë, teksa më herët është prononcuar edhe për media.
Lajçak ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar për draft-statutin e Asociacionit dhe kanë pasur mirëkuptim për këtë proces.
“Kemi diskutuar se si Bashkimi Evropian e sheh procesin e hartimit të draft-statutit në detaje me Kryeministrin dhe besoj se kemi një dakordim mbi këtë proces”, ka thënë Lajçak.
Ai ka thënë se për këtë çështje do të jetë nesër edhe në Serbi për vizitë zyrtare dhe të hënën në Bruksel do të takohet me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi një mirëkuptim për hapat që do të marrim dhe patëm një diskutim të rëndësishëm. Të njëjtin do ta kem edhe nesër në Beograd dhe do të takoj dy kryenegociatorët, Bislimin dhe Petkoviq të hënën në Bruksel. Të dy palët duhet të përkushtohen në normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.