Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin preliminar për shpronësime të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut, për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se Qeveria Kurti “po vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”.
“Regjimi i Kurtit, i inkurajuar nga disa pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”, thuhet në reagim.
Lista Serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë për këtë vendim.
“Populli serb nuk do të lejojë që banditi Kurti t’i vjedhë trashëgiminë e tyre ashtu dhe do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe legjitime kundër këtij vendimi anti-serb, që vjedh hektarë tokë serbe”, thuhet në reagim.